Flash News

E-TJERA

Igli Tare kërkon lojtarin e Shqipërisë te Milani

Igli Tare kërkon lojtarin e Shqipërisë te Milani

Igli Tare është njohur për mbështetjen që u jep lojtarëve shqiptar, sidomos gjatë kohës së tij te Lazio. Megjithatë, kjo “traditë” duket se mund të vijojë edhe te Milan-i.

Drejtori sportiv i kuqezinjëve të Serie A, Tare, thuhet se po kërkon kapitenin e Shqipërisë, Berat Gjimshiti te Milan-i.

Sipas mediave italiane, Tare e shikon Gjimshitin si njeriun e duhur për të zëvendësuar të sapolarguarin Malick Thiaw. Gjermani u shit te Newcastle për 40 milionë euro.

32-vjeçari ka eksperiencën e duhur në Serie A, një faktor kyç për trajnerin e Milan-it, Max Allegri, i cili mbështetet në një prapavijë të fortë.

Gjimshiti numëron 287 paraqitje në të gjitha garat me Atalanta-n, ku 250 prej tyre janë në Serie A, të cilave iu shtohen edhe 5 gola dhe 11 asistime.

Ai ka kontratë deri në verën e vitit 2026 me Atalanta-n, me bergamaskët që thuhet se kërkojnë deri në 12 milionë euro për kartonin e tij. Kjo e ndikuar nga fakti që kapiteni i Shqipërisë ka një ofertë nga Lindja e Mesme.

Megjithatë, shifa mund të jetë problem për Milan-in duke parë që Gjimshiti është 32-vjeçar. Kjo u provua edhe në rastin e Granit Xhakës, ku kuqezinjtë nuk pranuan të paguanin 15 milionë euro te Bayer Leverkusen, pavarësisht se kishin arritur akordin personal me lojtarin e Kombëtares zvicerane.

Milan-i gjithashtu thuhet se ka mbyllur marrëveshjen me Genoa-n për mbrojtësin Koni de Winter për 20 milionë euro plus bonuse.

Me largimin e Thiaw dhe afrimin e mundshëm të De Winter-it, Milan-i ka aktualisht në qendër të mbrojtjes, veç belgut, edhe Fikayo Tomori-n, Strahinja Pavlovic-in dhe Matteo Gabbia-n.

Megjithatë, me skemën e Allegri-t me tre qendërmbrojtës afrimi i De Winter-it nuk do të mjaftonte. Ndaj pista Gjimshiti mbetet e hapur dhe realiste, ndonëse klubet duhet të arrijnë një marrëveshje të kënaqëshme ekonomikisht për të gjitha palët.

Të fundit