Flash News

E-TJERA

IKMT ‘zbarkon’ në hotelin e numëruesit të Belerit, pronarët akuza Ramës: Po vepron si diktator

IKMT ‘zbarkon’ në hotelin e numëruesit të Belerit,

Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit ka zbarkuar sot në një hotel në Dhërmi. Objekti është në pronësi të Fjorentin Belit, i cili ishte numërues në Kudhes, zonë ku u vulos fitorja e Fredi Belerit, kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Himarë.

IKMT ka zbarkuar prej pasdites në pronën e Belit me pretendimin se objekti i ndërtuar është pa leje. Pronarët shprehin të kundërtën. Vetë Beli ka thënë se prona e tij është e ligjshme dhe me licencë.

“Urbanistika, ushtria, policia, gjithçka ka ardhur, sepse unë kam qenë në mbështetje për numërimin e votave të Belerit për të prishur ndërtesën time. Shtëpia është e ligjshme, e licencuar dhe të gjitha. Nuk më kanë dhënë asnjë letër, asgjë, vetëm se unë mbështes Belerin. Kam shkuar në gjykatë në mëngjes, nuk bëjmë dot gjë, ata kanë frikë dhe gjyqtari ka frikë nga Rama, dhe tani do të hyjnë dhe do ta hedhin në erë. Kjo është Shqipëria”, tha Beli.

Kristaq Beli, babai i Fjorentin Belit, e sheh zbarkimin e IKMT-së në objektin e tij si hakmarrje pasi djali i tij ishte numërues në zonën ku u shpall fitues për kryebashkiak Fredi Beleri.

Beli tha para kamerave se Rama ka dhënë urdhër si diktator kur leja e pronës për të cilën IKMT pretendon se është e paligjshme, është dhënë nga vetë kandidati i Ramës më 14 maj, Jorgo Goro.

“La nam Edi Rama. Unë kam qenë komunist, socialist, i kam shërbyer Spiro Kolekës këtu poshtë, le ta dëgjojë këtë, u kam shërbyer komunistëve. Por si ky sistem... Pse djali im vajti në komision me Belerin, ku është parë kjo? Çfarë shteti është ky? Me leje legalizimi në datën 16. Ku është parë të japë urdhër si diktator. Unë kam bërë transplant, kam paguar miliona lekë. Me dy leje ndërtimi, 2011 dhe tjetra 22 dhjetor 2019, ka firmosur vetë Goro që la nam në Himarë. Dhe vetë Rama e tha atje te mitingu i madh, e tha vetë ça gomari është, për Goron. Të gjithë luftën që ta merrnin Himarën me zor dhe nuk e morën”, ka thënë ai.

Të fundit