Flash News

E-TJERA

Ilir Meta mund të bëhet sot Presidenti i parë i shkarkuar nga detyra në historinë e shtetit shqiptar

Ilir Meta mund të bëhet sot Presidenti i parë i shkarkuar nga

Kuvendi do të votojë sot për shkarkimin ose jo nga detyra të Presidentit të Republikës, Ilir Meta, nismë kjo e firmosur fillimisht nga 49 deputetë të Partisë Socialiste.

Mazhoranca pretendon se kreu i shtetit ka shkelur Kushtetutën para dhe gjatë fushatës zgjedhore të 25 prillit dhe të premten e 28 Majit, Komisioni Hetimor hartoi raportin final me të gjitha shkeljet e pretenduara dhe ia dërgoi atë Kuvendit. Për disa javë, Komisioni Hetmor mblodhi fakte, që sipas tij, vërtetonin shkeljet e Presidentit, dhe që ishin kryesisht deklarata të bëra nga ky i fundit në media apo në rrjetet sociale.

Ky është komisioni i dytë hetimor që ngrihet për hetimet e shkeljeve kushtetuese për Ilir Metën brenda 2 viteve, ku mazhoranca kërkon shkarkimin e tij nga detyra. Por, herën e parë nuk u votua pro shkarkimit të presidentit në Kuvend.

Sipas nenit 88 të Kushtetutës, mazhoranca duhet të marrë jo me pak se 94 vota pro ose 2/ 3 e të gjithë deputetëve, që kreu i shtetit të shkarkohet. Nëse PS-ja arrin t'i marrë kaq vota pro, atëherë Meta bëhet sot presidenti i parë i Republikës që shkarkohet nga detyra në historinë e shtetit shqiptar.

Nëse Kuvendi voton pro shkarkimit të Presidentit Meta, është Gjykata Kushtetuese ajo që vendos nëse gjetjet e Parlamentit, për shkelje të Kushtetues nga Ilir Meta, janë të bazuara apo jo.

Të fundit