Flash News

E-TJERA

Incidenti me gazetaren, reagon Këshilli Shqiptar i Medias: Rama bëri një gjest të shëmtuar e intimidues

Incidenti me gazetaren, reagon Këshilli Shqiptar i Medias: Rama bëri

Këshilli Shqiptar i Medias ka reaguar për incidentin e ndodhur sot mes kryeministrit Edi Rama dhe gazetares Ambrozia Meta.

KShM e cilëson sjelljen e kryeministrit të shëmtuar dhe intimidues, duke tentuar ta prekë në fytyrë gazetaren.

KSHM, thekson me shqetësim se për sa kohë qasja e zyrtarëve publikë ndaj pyetjeve të gazetarëve është në standardin e mbartur nga Kryeministri shqiptar, kushtet për liri të medias e për gazetari të lirë, sa vijnë e minimizohen.

Reagimi i plotë:

Këshilli Shqiptar i Medias dënon me forcë sjelljen e Kryeministrit Rama në konferencën e sotme për shtyp, ku Kryeministri, pasi iu shmang pyetjeve të gazetares Ambrozia Meta, bëri një gjest të shëmtuar e intimidues, duke tentuar ta prekë në fytyrë gazetaren.

Kryeministri shqiptar duhet të kuptojë që nëse pyetjet e gazetarëve janë etike apo jo, nuk janë në tagrin e tij për ta përcaktuar. Detyra e Tij kushtetuese është që t’i përgjigjet pyetjeve që i bëhen nga gazetarët, në emër të audiencës së tyre dhe të interesit publik, në kuadër të parimeve të transparencës dhe llogaridhënies që mbështesin një shoqëri demokratike.

Kryeministri shqiptar duhet të kuptojë që nuk ka pyetje të gabuara apo pyetje jo-etike, të gabuara ose jo-etike janë fyerjet që ai bën ndaj gazetarëve, me termat “padije” dhe “injorancë”. Këto përgjigje përbëjnë një agresion verbal që krijon një kulturë frikësimi ndaj gazetarëve për të bërë pyetje.

Refuzimi publik i Kryeministrit për të kërkuar falje pas këtij agresioni ndaj gazetares Meta, publikuar në platformën X, është një argument më shumë pse liria e shtypit në Shqipëri është në nivelet që paraqitet në të gjitha raportet ndërkombëtare.

KSHM, vëren me shqetësim që për sa kohë qasja e zyrtarëve publikë ndaj pyetjeve të gazetarëve është në standardin e mbartur nga Kryeministri shqiptar, kushtet për liri të medias e për gazetari të lirë, sa vijnë e minimizohen.

 

Të fundit