Flash News

E-TJERA

Informacione tronditëse nga Britania/ Fëmijët azilkërkues rrëmbehen nga hoteli, raportohen 136 të zhdukur

Informacione tronditëse nga Britania/ Fëmijët azilkërkues

Dhjetëra fëmijë azilkërkues janë rrëmbyer nga bandat në një hotel në Brighton, Britani, një ngjarje që me sa duket po përsëritet në të gjithë bregun jugor, sipas një hetimi të “Observer”.

Një punonjës i “Home Office” ka bërë me dije se fëmijet rrëmbehen nga rruga jashtë hotelit dhe futen në makina.

“Fëmijët fjalë për fjalë po merren nga jashtë ndërtesës, po zhduken dhe nuk gjenden. Ata po merren në rrugë nga trafikantët”, tha burimi.

Mësohet se “Home Office” është paralajmëruar vazhdimisht nga policia se fëmijët azilkërkues që kishin mbërritur së fundmi në MB, pa prindër ose kujdestarë, do të ishin në shënjestër të rrjeteve kriminale.

Rreth 600 fëmijë të pashoqëruar kanë kaluar nëpër hotelin “Sussex” në 18 muajt e fundit, me 136 të raportuar të zhdukur. Më shumë se gjysma e tyre, 79, mbeten të pagjetur.

Politikania britanike, Yvette Cooper, e përshkroi zbulimin si "me të vërtetë të tmerrshme dhe skandaloze" dhe i bëri thirrje qeverisë të zbulonte se sa fëmijë ishin zhdukur dhe çfarë po bëhej për t'i gjetur ata.

Ajo shtoi: “Suella Braverman [sekretarja e Brendshme] ka dështuar të veprojë sipas paralajmërimeve të përsëritura që i janë dhënë në lidhje me masat mbrojtëse krejtësisht të papërshtatshme për fëmijët në kujdesin e tyre.

Është një shpërdorim total i detyrës për Home Office që kaq keq të dështojë në mbrojtjen e sigurisë së fëmijëve ose të godasë bandat e rrezikshme duke i vënë ata në rrezik të tmerrshëm. Ministrat duhet të vendosin urgjentisht masa të reja mbrojtjeje.”

Informatori foli gjithashtu me dëshmitarë nga një hotel i ngjashëm i drejtuar nga “Home Office” në Hythe, Kent, duke vlerësuar se 10% e të rinjve zhdukeshin çdo javë.

Burimi për mbrojtjen e fëmijëve tha se disa nga fëmijët e humbur nga hoteli Brighton mund të jenë trafikuar deri në Mançester dhe Skoci. Një rast është nën hetim nga policia Metropolitane në Londër.

Të dhënat e zbuluara në tetor treguan se 222 fëmijë të pashoqëruar azilkërkues mungonin në hotelet e drejtuara nga Home Office. Ministrat pranuan se nuk kishin asnjë informacion për vendndodhjen e tyre.

Ndërkohë, ka dalë gjithashtu se asnjë udhëzim i ri për policinë nuk është lëshuar për gjurmimin e fëmijëve azilkërkues të zhdukur, me burime që thonë se ai mbetet në “zhvillim”.

Të dhënat e reja të publikuara sipas Aktit të Lirisë së Informacionit tregojnë se fëmijët e sapoardhur të pashoqëruar kalojnë mesatarisht 16.5 ditë në hotelet e Home Office përpara se të transferohen në kujdesin e këshillit në të gjithë vendin.

Të fundit