Flash News

E-TJERA

Integriteti ekologjik i lumit Vjosa rrezikon të mbetet në letër

Integriteti ekologjik i lumit Vjosa rrezikon të mbetet në letër

Në një deklaratë të përbashkët për shtyp, organizata mjedisore EcoAlbania së bashku me organiozatat ndërkombëtare EuroNatur dhe Riverwatch ngritën alarmin se Parku Kombëtar i lumit Vjosa rrezikon të kthehet në një “park letre” të mbrojtur thjesht me ligj, por jo në realitet.

“Lumi Vjosa po përballet vazhdimisht me presione nga industritë nxjerrëse, zgjerimi i infrastrukturës dhe zhvillimi i pakontrolluar, duke vënë në rrezik integritetin ekologjik të parkut dhe vlerën e tij globale për ruajtjen e natyrës”, shkruajne aktivistët mjedisorë në deklaratën për shtyp.

Sistemi i lumit Vjosa, i shpallur Park Kombëtar në vitin 2023, është habitat për mbi 1100 lloje speciesh, përfshirë 13 specie të rrezikuara globalisht.  Qeveria shqiptare po ndjek njëkohësisht procedurat për shpalljen e Luginës së Vjosës si Rezervat të Biosferës UNESCO.

Gjithsesi, organizatat mjedisore shprehin shqetësimin se nëse kërcënimet ndaj këtij lumi nuk adresohen në mënyrën e duhur, të gjitha këto statuse do të mbeten thjesht simbolike.

Kërcënimet reale ndaj lumit dhe parkut kombëtar konsistojnë kryesisht në aktivitete industriale të tilla si nxjerja e naftës, nxjerrja e bitumit, nxjerrja e zhavorrit, shfrytëzimi i ujit, depozitimi i mbetjeve urbane, ujërat e zeza, dhe turizmi masiv.

“Aktivitetet e pambikëqyrura të nxjerrjes së naftës kërcënojnë biodiversitetin dhe cilësinë e ujit në Vjosë. Janë dokumentuar rrjedhje të shpeshta, të cilat ndotin ujin dhe dëmtojnë ekosistemet ujore”, citon deklarata për shtyp e mjedisorëve.

Gjithashtu hedhja e paligjshme e mbetjeve të minierave vazhdon të rrezikojë habitatet dhe sistemet ujore, edhe pse zyrtarisht ato janë të ndaluara me ligj.

Nga ana tjetër, shfrytëzimi i ujit pa kriter rrezikon seriozisht uljen e volumit të rrjedhës së lirë të Vjosës, një pasojë që i shtohet ndikimeve të tjera nga ndryshimet klimatike.

“Me ndryshimet klimatike që parashikojnë një ulje prej 30% të sasisë së ujit në Vjosë deri në vitin 2050, shfrytëzimi i pakontrolluar përbën një kërcënim akoma më të madh”, citojnë mjedisorët.

Aktivistët i bënë thirrje Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit të monitorojnë në mënyrë të rreptë të gjitha aktivitetet industriale të cilat rrezikojnë vazhdimësinë e lumit Vjosa.

“Ky park u përshëndet në mbarë botën, por realiteti në terren tregon një histori tjetër. Pa vullnet politik urgjent, Vjosa rrezikon të mbrohet vetëm në letër,” përfundoi Olsi Nika, drejtor ekzekutiv i organizatës Eco Albania. Reporter.al

Të fundit