Flash News

E-TJERA

Investigimi/ Erion Isai ‘qerasi’ drejtorin Spiro Zoto me 210 mijë euro për vitin e ri

Investigimi/ Erion Isai ‘qerasi’ drejtorin Spiro Zoto me 210

Deri më tani treguam se Erion Isai, vetëm për ndërtim ujësjellësash, ka abuzuar mbi 7 milionë euro. Ndërsa SPAK ende nuk ka arritur të shkojë pikërisht te abuzimet e mëdha, duke u ndalur vetëm te afera prej 50 mijë eurosh mes Erion Isait dhe Entela Çanos.

Në vijim, do t`ju tregojmë se kryebashkiaku i Ersekës, e ka pasur dorën e lëshuar te financat publike, ku në disa investime ka paguar mbi 250 mijë euro të tjera, për punime që nuk u kryen kurrë. Dhe paratë përfunduan pikërisht në kompanitë e drejtorëve apo vartësve të Erion Isait, duke ngritur dyshime të forta për një tjetër skemë “5D” në Bashkinë e Kolonjës.

Në datën 6 dhjetor 2023, pra vetëm tre javë larg nga fundi i atij viti, Erion Isai tenderoi rikonstruksionin e digës së Rezervuarit të Gjonçit dhe ndërtim prita Malore në fshatrat e Bashkisë Kolonjë.

Vlera e tenderit ishte 240 mijë euro. Kompanitë fituese të këtij tenderi ishin kompania REHOVARI SHPK dhe B93 II shpk. Sipas tenderit, brenda katër muajve nga nënshkrmi kontratës, pra nga data data 6 dhjetor 2023 deri në datën 6 prill 2024, kompanitë duhet të kishin përfunduar punimet për rikonstruksionin e digës së Rezervuarit të Gjonçit.

Projekti parashikon rikonstruksion dhe punime të ndryshme për riparimin e digës së rezervuarit të Gjonçit, duke përfshirë punime si prerje bimesh, rrafshim skarpate, riparim kalldrëmi, punime në kurorën e digës si ndërtimi i parapetit B/a, shtresë çakëlli, shtresë stabilizanti, punime për riparimin e ujëlëshuesit, punime për riparimin e shkarkuesit katastrofik duke përfshirë edhe një urë 4 m mbi të.

Në digë ka punime te tjera si vendosje reperash topografik, vendosje pajisjesh pjezometrike për matjen e nivelit të ujit, vendosje pajisje inklinometër vertikal për monitorimin e devijimit të mundshëm në drejtimin vertikal të digës, mbjellje skarpatës së poshtme etj.

Financimi për këtë projekt, u bë nga buxheti i shtetit, konkretisht nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes civile. Sipas një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit, shoqëria REHOVARI SHPK do të kryente 18.63 % të punimeve ndërsa shoqëria tjetër, B93 II shpk do të kryente mbi 80 % të punimeve.

Nga kqyrja e faqes së spendingdata, rezulton se kompania REHOVARI SHPK, tre javë pasi nënshkroi kontratën me bashkinë Kolonjë për rikonstruksionin e rezervuarit të Gjonçit, ka marrë në datën 29 dhjetor 2023 një pagesë në vlerën e 210 mijë eurosh nga Bashkia Kolonjë.

Sipas kontratës, kontraktori do të paguhet për sasinë e punës së realizuar, me tarifën në preventivin në njësi për secilin zë punimesh, pra thënë ndryshe, pagesat për këtë tender ndaj kompanive që do të kryenin punimet, do të disbursoheshin pasi të ishin dorëzuar situacionet e kryerjes së punimeve.

Dhe më tej, kontrata parashikonte se mbikëqyrësi i punimeve duhet të kontrollojë punimet e ekzekutuara nga kontraktori dhe duhet të verifikojë shumën që duhet t’i paguhet kontraktorit, brenda 20 ditëve pune nga data që kontraktori paraqet komunikatën e tij 134 tek drejtuesi i projektit.

Ndërsa një tjetër pikë e kontratës, parashikonte që nëse Autoriteti Kontraktor gjatë zbatimit të kontratës, ka informacion për veprime korruptive informon organet kopetente. Nga kjo e fundit, kuptohet që ishte detyrë e Bashkisë Kolonjë dhe kryetarit të saj Erion Isai, që jo vetëm të mos paguante para pa përfunduar punimet, por nëse konstatonte se kompanitë nuk kishin kryer punime dhe kishin dorëzuar situacione të rreme, bashkia duhet t`i dërgonte për hetim në Prokurori.

Në faqen e Prokurimeve Publike, rezulton se bashkia Kolonjë ka anuluar procedurën për mbikqyrjen e punimeve, ndërsa sipas një raporti të KLSH, Erion Isai ka nënshkruar kontratë me një kompani që identifikohet vetëm me gërmën e parë të saj “V” shpk dhe përfaqësues ligjor shtetasin me inicialet M.S. Nga verifikimet e Plug, rezulton se kompania me incialet “V” është Viking Enginneering, ndërsa edhe incialet M.S, përputhen me ato të administratorit të kompanisë, Shtetasit Marvi Shamat.

Një tjetër detaj që konfirmon këtë fakt është se bashkia Kolonjë ka anuluar tenderin e mbikqyrjes, ndërsa KLSH ka gjetur gjithashtu se për kontratën prej rreth 5 mijë eurosh nuk janë kryer pagesa nga bashkia kolonjë për mbikqyrsin e punimeve. Sipas kontratës, mbikqyrësi i punimeve, është përgjegjës për fondin e veprës.

Situacionet e paraqitura nga kontraktori pas kryerjes së punimeve në faza të ndryshme mund të paguhen nga Investitori vetëm pasi të jenë shqyrtuar dhe firmosur nga mbikëqyrësi i punimeve; Pika 20. Kur vërehen shkelje të dispozitave ligjore Investitori ka të drejtë t’i urdhërojë mbikëqyrësit pezullimin e punimeve dhe i lind e drejta të kryej prishjen e kontratës duke kërkuar dëmshpërblim mbikëqyrësit. Vlera e shërbimit të mbikëqyrjes është 486,235 lekë pa TVSH, e cila nuk është likuiduar nga Bashkia Kolonjë. Por në këtë rast, rezulton se kontrata mes bashkisë Kolonjë dhe Mbikqyrësit të punimeve ka qenë fiktive.

Nga dokumentacioni i vënë në dispozicion referuar Urdhër shpenzimit nr. 1117 datë 27.12.2023, konstatohet se deri më datë 05.04.2024, referuar protokollit të Bashkisë Kolonjë për muajin Dhjetor 2023 të administruar nga grupi i auditimit, nuk disponohet Akti Dorëzimit të sheshit të ndërtimit i cili duhet të mbahej midis palëve. Nuk disponohet asnjë dokument në lidhje me Njoftimin për fillimin e punimeve në objekt, por disponohet vetëm Vendimi i Kryetarit të Bashkisë E. I., Nr. 51 datë 27.12.2023 “Për miratimin e deklaratës për kryerje punimesh”.

Në vendimin Nr. 51 datë 27.12.2023, miratohet deklarata e kryerjeve të punimeve të riparimit, mirëmbajtjes dhe rehabilitimit të infrastrukturës së ujitjes, për objektin e rezervuarit të Gjonçit dhe mbrojtje lumore. Pra, tre javë pasi ishte lidhur kontrata mes bashkisë Kolonjë dhe kompanisë REHOVARI shpk, jo vetëm që nuk ishte dorëzuar sheshi i ndërtimit për kryerjen e punimeve, por kryetari i bashkisë Erion Isai firmos deklaratën për kryerjen e punimeve, duke nxjerr njëkohësisht edhe urdhër xhirimi për kryerjen e pagesave në favor të kompanisë Rehovari shpk.

Pra deklarata për kryerje punimesh është firmosur 21 ditë më vonë nga data e lidhjes së kontratës. Me shkresën e sipërmarrësit “Rehovari.” shpk nr. 15 prot., datë 27.12.2023, protokolluar në Bashkinë Kolonjë nr. 6183 prot., datë 27.12.2023 (21 ditë pas lidhjes së kontratës), drejtuar vetëm mbikëqyrësit të punimeve, por jo për dijeni Bashkisë Kolonjë, kërkohet likuidimi i situacionit nr. 1 i punimeve datë 27.12.2023 në vlerën prej 22,167,288 lekë me TVSH.

Duke zbritur 5 % garancinë e punimeve në masën 1,108,364 lekë, vlera për tu likuiduar është 21,058,924 lekë me TVSH. Situacioni pjesor nr. 1 është nënshkruar nga mbikëqyrësi i punimeve M. S. si përfaqësues i shoqërisë “V.” shpk, kontraktorit dhe Kryetarit të Bashkisë Kolonjë E. I.. Situacionit pjesor nr. 1, në masën 96 % të punimeve, ku nuk disponohet 135 asnjë relacion bashkëlidhur apo raport mbi ecurinë e punimeve pas 21 ditësh nga lidhja e kontratës dhe në të njëjtën ditë për lejimin e kryerjes së punimeve sipas vendimin Nr. 51 datë 27.12.2023 të Bashkisë.

Vlera e situacionit të mësipërm ishte e pamundur të realizohej në masën 96 % të kontratës dhe kjo dëshmon për një fiktivitet pagesash, duke favorizuar drejtëpërdrejtë kontraktorin e punimeve.

Dhe sipas KLSH, ky abuzim ngarkon me përgjegjësi drejpërdrejtë Kryetarin e Bashkisë Erion Isai, i cili ka shkelur së paku 2 ligje, një VKM dhe tre udhëzime të qeverisë. Skandali është dhe më i madh, pasi jo vetëm që Erion Isai pagoi 210 mijë euro tre javë pasi nënshkroi kontratën dhe pa kryer asnjë punim, por as katër muaj më pas, pra kur kompania duhet të përfundonte zyrtarisht punimet, në digën e rezervuarit të Gjonçit nuk u realizua asnjë punim.

KLSH

Më datë 06.04.2024, referuar kontratës së zbatimit, përfundon edhe afati i zbatimit të kontratës dhe nga ana e BOE "Rehovari" & “B93 II.” shpk, nuk është realizuar asnjë zë pune duke mos ngritur as kantierin e punimeve. Pra, pas 4 muajsh nga nënëshkrimi i kontratës, nuk ishte realizuar asnjë punim dhe nuk ishte marrë asnjë masë nga Bashkia Kolonjë, kjo gjë ka çuar në përfitimin e padrejtë të fondeve të buxhetit të shtetit në vlerën 21,058,924 lekë me TVSH, e cila përbën Dëm ekonomik për Buxhetin e Shtetit.

Kompania që fituese e këtij tenderi, Rehovari SHPK, ngre dyshime serioze se është një version “5D” i Erion Isait në bashkinë e Kolonjës. Kompania është krijuar në 1 mars 2017 nga shtetasi Spiro Zoto, ndërsa selia e kompanisë ishte pikërisht fshati Rehovë, aty ku Erion Isai ka përqëndruar vitet e fundit të gjitha investimet e bashkisë.

Objekti i aktivitetit të kompanisë ishte fusha e ndërtimeve publike dhe civile, ndërsa kapitali i kompanisë ishte 1 milion lekë. Nga viti 2017 deri në vitin 2022, kompania nuk dorëzon asnjë bilanc në qendrën kombëtare të biznesit, duke ndonëse menjëherë pas themelimit të saj, shoqëria Rehovari përfitoi dy tendera, një në 2 qershor 2017 për rikonstruksionin e linjës së ujësjellësit Kronjza në Leksovik dhe një vit më vonë përsëri nga bashkia Kolonjë fitoi sërish një tnder me të njëjtin objekt, rikonstruksion i linjës së ujësjellësit Kronjza në Leskovik. Të dy tenderat janë shënuar me flamur të kuq.

Në vittin 2023, kompania dorëzon për herë të parë bilance në QKB pesë vjet pasi ishte krijuar. Për vitin 2022 kompania deklaron 27 milionë lekë apo rreth 270 mijë euro xhiro, ndërsa për vitin 2021, kompania deklaron rreth 200 mijë euro të ardhura. Nëvitin 2022 kompania deklaron gjithashtu një fitim të pashpërndarë në vlerën e 14 mijë eurove.

Në balance, për vitin 2022, Rehovari me pronar Spiro Zoton, deklaron llogari të arkëtueshme, nga disa biznese, përfshi shoqërinë Zeqillari shpk në pronësi të Adriatik Zeqillarit, një tjetër personazh që ka marrë tendera të shumtë nga Erion Isai, Qendrën Shëndetësore Çlirim në bashkinë Erseë, AMU shpk. Në total, Zeqillari deklaron se ka për të mbledhur një shumë prej 42 mijë eurosh. Një detaj tjetër është fakti se kompania REHOVARI shpk, edhe pse gjeneron të ardhura të konsiderueshme, dekalron se nuk ka asnjë lloj pasurie të regjistruar në aktivet e saj, ndërsa numri i punonjësve është mesatarisht 4 punonjës në vit.

Ndonëse një kompani që gjeneronte të ardhura dhe kishte fitime të pashpërndara, në datën 4 tetor 2023, Spiro Zoto vendos çuditërisht të dhurojë kompaninë te një bashkëqytetar i tij, shtetasi Euljon Kasko, banues në fshatin Starje të Kolonjës.

Pra Spiro Zoto vendos të falë një kompani me kapital 1 milion lekë, dhe me një fitim të pashpërndarë prej 190 mijë eurosh, ndërsa deri në 1 janar 2024, fitimi i pashpërndarë rezulton në vlerën e 210 mijë eurosh.

Plug ka siguruar një dokument, që dëshmon se Spiro Zoto deri në tetor 2023, ka qenë Kryeplak i fshatit Rehovë, ndërsa në tetor 2023, Spiro Zoto do të emërohet Kryetar i Njësisë Administrative Qendër në bashkinë Kolonjë.

Dy muaj më vonë, Erion Isai do të firmoste për kompaninë e Spiro Zotos, që ia dhuroi Euljon Haskos, edhe tenderin për rezervuarin e Gjonçit duke i paguar paradhënie 210 mijë euro pa kryer asnjë punë. Plug ka siguruar gjithashtu një dokument që tregon se edhe Euljon Hasko është një funskionar në bashkinë e Kolonjës, pasi rezulton se është kryeplak i fshatit Starje.

Tashmë i mbetet SPAK të vërtetojë se ku shkojnë paratë e dy prestanomeve të kompanisë Rehovari, të cilët janë njerëzit e besuar të Erion Isait.
Fiktivitetin e kompanisë REHOVARI SHPK, e dëshmojnë edhe bilancet vitit 2024. Nga të dhënat e bilanceve, shtatë vjet pas themelimit, kompania e Spiro Zotos dhe Euljon Kaskos, rezulton se nuk ka në pronësi asnjë tokë, asnjë ndërtesë, asnjë pajisje, asnjë kompjuter, apo asnjë zyrë. E vetmja pasuri e kompanisë që merr tendera nga Erion Isai, është vetëm një makinë me vlerë 240 mijë lekë të rinj./ SYRI TV

Të fundit