Flash News

E-TJERA

Ish-prokurori zbulon si planifikoi Irani sulm terrorist në Tiranë: U maskuan si grup xhirimi, do kryhej një ditë feste

Ish-prokurori zbulon si planifikoi Irani sulm terrorist në Tiranë: U

Ish-prokurori i Krimeve të Rënda, Eugen Beçi, ka zbuluar detaje të forta lidhur me rrezikun e sulmeve iraniane në Shqipëri.

I ftuar në News24 lidhur me paralajmërimin e Ambasadës së SHBA në Tiranë për kërcënime të mundshme, solli në vëmendje një rast konkret të zbuluar dhe të parandaluar në 2018-ën.

Sipas tij, në bashkëpunim me SHISH dhe strukturat e antiterrorit, si dhe me partnerët ndërkombëtarë, u zbulua se persona të sponsorizuar nga Irani kishin hyrë në Shqipëri për të kryer vëzhgime dhe për të planifikuar sulme ndaj drejtuesve të MEK.

Ai zbuloi gjithashtu se është parandaluar një sulm i mundshëm terrorist gjatë festës së Sulltan Nevruz në mars të vitit 2018, e cila do të zhvillohej në Tiranë dhe ku pritej pjesëmarrje e madhe qytetarësh.

“Targeti kryesor për forcat e Gardës Revolucionare ishte sulmi ndaj përfaqësuesve të MEK dhe vendosja e tyre në Shqipëri e bënte të cenueshëm territorin e vendit. I kemi hetuar për rreth një vit,” deklaroi Beçi.

“Ata arritën të depërtojnë si një grup xhirimi për një dokumentar, që ishte kamuflimi i tyre. Gjatë hetimeve parandaluam një sulm që do të bëhej në një festë fetare në mars 2018, ku do të kishte grumbullim të madh dhe mund të kishte pasoja edhe për qytetarët shqiptarë,” tha ai.

Sipas ish-prokurorit, rreziku nuk kufizohej vetëm te aktivitetet publike, por edhe në ambiente të tjera të frekuentuara nga drejtuesit e MEK, përfshirë qendrat tregtare.

 

Të fundit