Flash News

E-TJERA

Italia miraton përfundimisht marrëveshjen për pensionet me Shqipërinë

Italia miraton përfundimisht marrëveshjen për pensionet me

Komisionet e Politikës së Jashtme të Senatit dhe Dhomës së Deputetëve në Itali kanë miratuar marrëveshjen e pensioneve me Shqipërinë, nga e cila pritet të përfitojnë mbi 500 mijë shtetas shqiptarë.

Lajmin e ka bërë të ditur deputeti i Partisë Socialiste, Etjen Xhafaj, i cili tha se ky është hapi i fundit përpara votimit përfundimtar në seancë plenare të parlamentit italian. Marrëveshja tashmë është miratuar nga Parlamenti shqiptar dhe është botuar në Fletoren Zyrtare.

Në një postim në rrjetet sociale, Etjen Xhafaj tha: Dje, Komisionet e Politikës së Jashtme në Senat dhe në Dhomën e Deputetëve në Itali miratuan marrëveshjen e pensioneve me Shqipërinë, së bashku me amendamentet për alokimin e fondeve përkatëse. Hapi i fundit mbetet votimi në seancë plenare për një marrëveshje që prek me dhjetëra mijëra shqiptarë. Falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar nga pala italiane dhe shqiptare për realizimin e saj.

Marrëveshja përfshin sigurimet e detyrueshme shoqërore, duke mbuluar përfitime për pleqërinë, invaliditetin, pensionin familjar, sëmundjet, barrëlindjet dhe papunësinë. Përfituesit janë rreth 500 mijë shtetas shqiptarë që jetojnë në Itali dhe 4 mijë shtetas italianë që ndodhen në Shqipëri.

Që nga viti 2005, Shqipëria ka nënshkruar marrëveshje të ngjashme me disa vende si Turqia, Belgjika, Hungaria, Luksemburgu, Çekia, Maqedonia e Veriut, Gjermania, Austria, Bullgaria, Kanadaja, Rumania, Kosova, Zvicra dhe Kroacia. Pritet gjithashtu të hyjnë në fuqi marrëveshje me Malin e Zi dhe Bullgarinë, ndërsa janë në proces marrëveshjet me Poloninë dhe Serbinë. Vende si Sllovenia, Spanja, Danimarka, Moldavia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë shprehur gatishmëri për të nisur negociatat, ndërsa bisedimet me Francën janë në fazë të avancuar.

Të fundit