Flash News

E-TJERA

“Jashtë mund të gjesh gjithçka, por jo Atdhe”/ Meta me të rinjtë për shpopullimin: Ju jeni lokomotiva e ndryshimit

“Jashtë mund të gjesh gjithçka, por jo Atdhe”/ Meta

Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar bashkëbisedim me të rinjtë, ku në fokus ishte shpopullimi i Shqipërisë. Duke e cilësuar si dramën më të madhe që poi  ndodh vendit, Kreu i Shtetit evidentoi disa gjetje që japing alarmin për largimin masiv të të rinjve nga vendi.

“Shpopullimi i Shqipërisë është drama më e madhe, që po i ndodh vendit. Sipas studimit të Institutit për Studime Ekonomike Ndërkombëtare të Vjenës, gjatë 10 viteve të fundit janë larguar nga Shqipëria mbi 500 mijë qytetarë. Shumë herë më tepër, krahasim me vendet e rajonit, Serbinë, Malin e Zi, Bosnjë-Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën.

Po kështu sipas Agjencisë së BE për Azilin dhe sipas Zyrës Europiane të Azilantëve (EASO), në raport me popullsinë, Shqipëria është e para për azilkërkuesit në BE, me 59 aplikime për çdo 10 mijë banorë.

Sipas INSTAT, në 1 janar 2021, popullsia e Shqipërisë rezulton 2,83 milionë banorë dhe krahasuar me vitin 2011, është ulur me 2,7 %. Me këtë ritëm, sipas raportit të OKB-së, është projektuar që mosha mesatare mund të shkojë në 61.5 vjeç në vitin 2100.

Sipas ‘Gallup-it’, largimi i të rinjve nga vendi kap shifra deri në 79%. Shqipëria është në krye të listës, nga ku largohen të rinjtë dhe është e para në Europë nga ku të rinjtë duan të ikin për të studiuar, por edhe për të punuar jashtë shtetit”, është shprehur Meta.

Ky i fundit është shprehur se arsimi e ndjen edhe më shumë fenomenin e shpopullimit, duke nënvizuar se për çdo vit po regjistrohet një ulje drastike të numrit të nxënësve.

“Kemi gjithnjë e më pak nxënës që ndjekin arsimin para-universitar dhe të gjitha ciklet. Emigracioni në shifra të larta po shkakton zbrazjen e auditorëve të universiteteve në vend dhe fakt është që janë mbyllur me dhjetëra degë studimi në Universitete të ndryshme të vendit”, shtoi presidenti.

Ai ka theksuar se “të rinjtë duhet të jenë lokomotiva të ndryshimit”, ndërsa përcolli mesazhin se “jashtë mund të gjesh gjithçka por jo Atdhe. Shqiponjat duhet të kthehen në folenë e tyre”.

 

 

 

 

 

Të fundit