Flash News

E-TJERA

Jo vetëm pagat, zgjedhjet 'inkurajojnë' emigracionin; rritet edhe numri i martesave

Jo vetëm pagat, zgjedhjet 'inkurajojnë' emigracionin; rritet

Zgjedhjet kanë ndikim jo vetëm në jetën politike dhe atë ekonomike, pore dhe në jetën sociale të një vendi.

“Scan Intel” ka analizuar disa prej indikatorëve kyç makroekonomik dhe social, për të parë efektin që ka një vit zgjedhor në ekonomi dhe shoqëri. Analiza, e cila nis prej vitit 2004, është fokusuar kryesisht te vitet tek, si vite zgjedhore, dhe vitet çift, si vite “normale”, pra vite jo zgjedhore, pa fushatë elektorale dhe pa proces votimi.

Duke filluar nga indikatori më i rëndësishëm, rritja ekonomike, statistikat publike tregojnë se në një vit tek, pra vit zgjedhor, mesatarisht ekonomia shqiptare është rritur me një normë pranë 3.3%, ndërkohë që në një vit “normal” mesatarisht ndër vite, rritja ekonomike ka qenë pranë 4.1%.

Kjo do të thotë se zgjedhjet mund të ndikojnë ngadalësimin e zgjerimit ekonomik.

Sa i përket inflacionit, shifrat e analizuara tregojnë se qoftë në një vit zgjedhor apo në një vit ‘normal’, nuk ndikohet rritja e çmimeve.

E njëjta vlen edhe për lejet e ndërtimit, që vihen në fokus gjatë fushatave zgjedhore. Sipas analizës, ka një dieferencë shumë të vogël thuajse të papërfillshme të raportit, 1170 leje ndërtimi të dhëna në vit “normal” dhe 1192 në vit zgjedhor.

Duke analizuar emigracionin, ka një tjetër qasje. Në vitet zgjedhore vihet re se janë larguar 45 mijë shqiptarë, ndërsa në një vit ‘normal’ janë larguar 38 mijë shqiptarë, çka tregon se ka një prirje që në vite zgjedhore të largohen më shumë.

Kursi i këmbimit, sidomos i monedhës evropiane euro, pësoi një ‘tronditje’ gjatë zgjedhjeve vendore të 14 majit, ku kursi i euros ra në nivelin e 110 lekë dhe u rrit ndjeshëm pas 14 majit.

Bazuar në statistikat publike nga Banka e Shqipërisë, mesatarisht në vite “normale”, jo zgjedhore, euro është zhvlerësuar me 1.4% kundrejt lekut, ndërsa në vite zgjedhore, përfshirë vitin aktual, me vetëm 0.6%. Pra, shifrat sinjalizojnë se në vite jo zgjedhore euro zhvlerësohet më shumë kundrejt lekut se në vite zgjedhore.

Sa i përket pagave, shifrat tregojnë se viti zgjedhor ka mjaft ndikim. Në vitet ‘normale’, pagat janë rritur mesatarisht në nivele më të larta se në vitet jo zgjedhore, dhe kjo tendencë është edhe më e theksuar sa i përket pagave në administratën shtetërore. Kjo do të thotë se në një vit zgjedhor ka më shumë shanse të kemi rritje pagash, sidomos në administratë.

Kjo u pasqyrua edhe këtë vit ku kryeministrit Rama njoftoi gjatë fushatës zgjedhore rritje pagash për administratën shtetërore.

Çuditërisht, zgjedhjet duket se ndikojnë edhe te martesat, pasi kur ka zgjedhje, mesatarisht në Shqipëri ndodhin rreth 1500 celebrime më shumë se në vitet kur nuk ka zgjedhje.

Të fundit