Flash News

E-TJERA

Kampionati i vajzave, Vllaznia mund Apoloninë dhe është një hap larg titullit të 10-të kampion

Kampionati i vajzave, Vllaznia mund Apoloninë dhe është një

Janë luajtur këtë të shtunë të gjitha ndeshjet e vlefshme për javën e 17-të të kampionatit të vajzave.  Ekipi i Vllaznisë së vajzave është një hap larg titullit të dhjetë kampion në kampionat, pas fitores 2-1 në transfertën e Apolonisë. Një ndeshje mjaft e luftuar nga të dyja ekipet, teksa protagonistet absolute të takimit ishin Megi Doçi, Arlinda Kodra dhe Valentina Troka e Apolonisë me golat e tyre.

Tirana nuk lëshoi pikë as në këtë javë të 17-të, duke konkurruar denjësisht në këtë edicion të 14-të të kampionatit të vajzave. Vajzat bardheblu mundën në shtëpi ekipin e Skënderbeut me rezultatin 10-1. Golashënueset e kësaj sfide ishin Kodra, Coka (2), Mbrati, Zarka (2), Alijaj, Metalla e Vishkulli (2) për Tiranën, ndërsa për Skënderbeun realizoi Kejsi Potomi. Ndeshja e javës së 18-të është vendimtare për Tiranën, që do të ketë përballë ekipin e Vllaznisë, që renditet me tre pikë më shumë në klasifikim se vajzat bardheblu.

Nuk gaboi as ekipi i Partizanit në sfidën kundër Teutës, që fitoi me rezultatin 7-0 në aneksin e stadiumit ‘Niko Dovana’.  Një tre pikësh shumë i rëndësishëm për të kuqet e trajnerit Ylli Shehu, që siguruan që në këtë javë vendin e katërt në kampionat. Nga ana tjetër, Kinostudio siguroi fitoren e radhës ndaj Kukësit. Në takimin e luajtur në QSK Kamëz, kryeqytetaset mposhtën me shifrat 5-0 ekipin e Kukësit.

Në takimin tjetër të javës, Laçi mori fitoren e dytë radhazi në kampionat, teksa në këtë javë të 17-të mposhti Lushnjen në shtëpi me rezultatin 4-0. Me këtë fitore, Laçi siguron vendin e gjashtë në edicionin e 14-të të kampionatit të vajzave.

Të fundit