Flash News

E-TJERA

Kanabisi për përdorim vetjak, deputetët pro dhe kundër legalizimit

Kanabisi për përdorim vetjak, deputetët pro dhe kundër

Kryeministri Edi Rama deklaroi se ndoshta vitin tjetër qytetarët do të pyeten edhe nëse duan apo jo të legalizohet kanabisi për përdorim vetjak.

“Vitin tjetër do i pyesim shqiptarët patjetër, e doni për përdorim vetjak, do t’i pyesim. E kanë bërë treçereku i vendeve të botës”, u shpreh Rama në Kongresin e PS.

Megjithatë, jo të gjithë deputetët e Kuvendit janë në një mendje me deklaratën e kryeministrit. Një pjesë e tyre janë pro legalizimit të kanabisit edhe për përdorim vetjak, ndërsa pjesa tjetër e kundërshtojnë kategorikisht.

Në prononcime të shkurtra për Euronews Albania, deputetët kanë dhënë opinionin e tyre lidhur me çështjen.

“Unë personalisht jam kundër përdorimit vetjak, për familjet, për fëmijët tanë nuk duhet në mënyrë kategorike”, tha Xhemal Qefalia, deputet i PS-së.

“Nga fusha që vijë unë, ju e dini, nga fusha ushtarake kështu që ne jemi kundra këtyre për ushtrinë. Por besoj jo vetëm nga fusha që vij, por edhe për rininë kam edhe një mesazh larg drogës, sa më shumë sport për të patur një shëndet të mirë mendor dhe fizik”, u shpreh deputeti i PS-së, Bardhyl Kollçaku.

“Po absolutisht nëse e thonë qytetarët, duhet ta themi edhe ne, apo jo”, tha Etjen Xhafaj, deputet i PS-së.

“Jemi kundër, jo vetëm për përdorim vetjak por edhe për atë që gjoja po e legalizon Rama”, tha Edi Paloka.

“Shqipëria nuk ka as kapacitete për të kontrolluar territorin, jo më për t’jua u dhënë të gjithë grupeve kriminale që do të investohen për të bërë transportin e trafikut të drogës edhe më shumë”, u shpreh Ervin Salianji.

Të fundit