Flash News

E-TJERA

Kanalizime gjysmake dhe ujë me orar, Shqipëria ende larg standardeve

Kanalizime gjysmake dhe ujë me orar, Shqipëria ende larg standardeve

Vetëm 57% e popullsisë ka një mbulim me kanalizime të ujit, duke pësuar një rritje prej 2.2% krahasuar me vitin 2023, por që mbetet ende larg mesatares së kërkuar.

Sipas raportit të performancës së Entit Rregullator të Ujit (ERRU) për vitin 2024, “ky shërbim është larg objektivit të performancës së mirë 75% të vendosura nga ERRU”.

Mbulimi me kanalizime sipas raportit është përmirësuar në zonat urbane, por jo në ato rurale.

“Problemi kryesor vazhdon të mbetet zona rurale, në të cilën përgjithësisht nuk ka rrjet kanalizimesh dhe shkarkimet e ujërave të ndotura realizohen individualisht me gropa septike, por që lënë mjaft për të dëshiruar në drejtim të respektimit të standardeve teknike të zbatimit të tyre”, thuhet në raport.

Sipas raportit të performancës fondet për investime në këtë sektor kanë qenë të pakta, ndërsa në këtë pikë ka ekzistuar diferencimi mes zonave urbane dhe rurale, ku prioritet kanë qenë ato urbane.

Furnizimi me ujë përgjatë vitit 2024 arriti në 17.44 orë në ditë me një rritje prej 1.14 orë në ditë krahasuar me një vit më përpara, mirëpo ende nuk është arritur objektivi i vendosur nga Enti për të furnizuar me 18 orë në ditë.

“Faktorët kryesorë që shkaktojnë këtë vazhdimësi të furnizimit me ujë janë humbjet e ujit nga mbi konsumi i pamatur si pasojë e faturimit aforfe, nga lidhjet e paligjshme dhe nga humbjet teknike në rrjet”, thuhet në raportin e ERRU-së.

Raporti thekson se shoqëria rajonale me performancë më të mirë është ajo e Lezhës me 24 orë ujë në ditë. Ndjekur më pas nga shoqëritë e tjera sikurse e Korçës me 23.7 orë në ditë, Pogradecit me 22.5 orë në ditë, Dibrës me 22 orë në ditë, Gjirokastrës me 22 orë në ditë, Shkodrës me 21.55 orë në ditë, Beratit me 22.11 orë në ditë, Sarandës me 21 orë në ditë, Fierit me 18 orë në ditë dhe Elbasanit me 18 orë në ditë.

Ndërsa, ato me orar më të pakët të ujit janë shoqëritë rajonale të Kamzës me vetëm 4 orë në ditë, Vorës me 8 orë në ditë, Kukësit me 12.50 orë në ditë dhe Vlorës me 12.55 orë në ditë, Durrësit me 13 orë në ditë, Lushnjës me 16.7 orë në ditë dhe Tiranës me 17 orë në ditë.

“Ujë të pijshëm 24 orë”, ende një premtim

Partia Socialiste erdhi në pushtet në 2013-ën me shumë premtime, mes tyre edhe për ujë të pijshëm 24 orë.

“Ujë në çdo parcelë toke buke dhe ujë të pijshëm në çdo shtëpi,” deklaroi Rama asokohe.

Ndërsa sot ka fituar mandatin e katërt, ky premtim ende nuk është realizuar, edhe pse është përsëritur sa herë ka zgjedhje.

Në fushatën për zgjedhjet e 11 majit, debati për furnizimin me ujë u rikthye sërish në qendër të vëmendjes. Kryeministri Rama mbrojti bilancin e qeverisë së tij më 27 shkurt, në një video në Facebook:

“Shqipëria kishte ujë 24 orë vetëm në katër zona në 2013. Sot ka 43 zona urbane dhe 98 zona rurale me ujë 24 orë. Sigurisht, ka ende shumë për të bërë.”

Një deklaratë e ngjashme u dha edhe më 23 shkurt, çka dëshmon se furnizimi me ujë mbetet një shqetësim i vazhdueshëm për qytetarët.

Megjithatë, premtimi për ujë 24 orë daton që nga fushata e vitit 2013, kur Rama kritikoi premtimet e përsëritura të kundërshtarëve të tij për këtë çështje.

“Më vjen turp me një histori 20-vjeçare ku sa herë ka fushatë premtohet ujë 24 orë. Pas 20 vjetësh prapë ujë nuk ka. Po të isha tetë vjet në pushtet në vendin e tij [Berishës] dhe të mos e kisha zgjidhur këtë problem, do të kisha ikur,” deklaroi ai atëherë Rama në opozitë.

Në vitin 2021, Rama e përsëriti premtimin, duke deklaruar se “më në fund” Shqipëria do të kishte furnizim të rregullt me ujë të pijshëm, falë mbështetjes financiare nga qeveritë gjermane, franceze dhe zvicerane.

Në të njëjtin vit, ai u shpreh se vendi kishte kaluar nga 12 orë ujë në ditë në 18 orë dhe se brenda mandatit të tretë do të arrihej objektivi i furnizimit të rregullt.

Megjithatë, sot, pas 12 vitesh në pushtet furnizimi i pandërprerë me ujë mbetet ende premtim elektoral./ Citizens Channel

Të fundit