Flash News

E-TJERA

Kaos për të tretën ditë radhazi në aksin Librazhd–Elbasan–Tiranë. Trafik i paralizuar dhe zero zgjidhje nga institucionet

Kaos për të tretën ditë radhazi në aksin

Qarkullimi në aksin kombëtar Prrenjas–Librazhd–Elbasan–Tuneli i Krrabës–Tiranë vijon të jetë i paralizuar edhe këtë fundjavë, për të tretën ditë radhazi, duke shkaktuar vonesa të gjata dhe kaos për mijëra drejtues mjetesh.

Fluksi i lartë i automjeteve në të dy kahet, i kombinuar me problematikat e infrastrukturës, ka bërë që trafiku të lëvizë me ndalesa të shpeshta dhe radhë të gjata kilometrike.

Pavarësisht angazhimit të shtuar të Policisë Rrugore, situata mbetet jashtë kontrollit për shkak të numrit të madh të automjeteve dhe segmenteve të dëmtuara të rrugës, ku po zhvillohen punime zgjerimi në kuadër të Koridorit VIII.

Në disa pika kyçe, qarkullimi është thuajse i bllokuar, ndërsa drejtuesit përballen me pritje të gjata dhe tension të shtuar.

Situata rëndohet ndjeshëm në zonat e njohura si Kthesat e Murrashit dhe Kthesat e Dragostunjës, ku segmentet në punim paraqesin gropa të shumta dhe dëmtime serioze të asfaltit.

Këto kushte jo vetëm që ngadalësojnë ndjeshëm qarkullimin, por përbëjnë edhe rrezik real për aksidente, duke vënë në pikëpyetje sigurinë rrugore në një nga akset më të frekuentuara të vendit.

Të fundit