Flash News

E-TJERA

Kapen 262 kg kanabis në Vlorë, arrestohen kryeplaku i Kaninës dhe një elektricist, në kërkim 3 autorët

Kapen 262 kg kanabis në Vlorë, arrestohen kryeplaku i Kaninës dhe
Foto ilustruese

Sekuestrohen në Vlorë 262 kg kanabis sativa dhe vihen në pranga dy persona.

Sipas policisë, droga u kap në vendin e quajtur “Çairet”, në fshatin Kaninë, gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë.

Për pasojë, u arrestuan kryeplaku i fshatit Kaninë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit" dhe një punonjës i OSHEE-së, për veprën "Shpërdorimi i detyrës" si dhe u bë shpallja në kërkim e 3 autorëve të dyshuar për kultivim të bimëve narkotike.

“Si rezultat i operacionit u bë shpallja në kërkim e autorëve të dyshuar për kultivim të bimëve narkotike, shtetasve F. K., 45 vjeç, E. K., 22 vjeç dhe K. K., 20 vjeç, banues të tre në fshatin Kaninë. Vijon puna intensive për kapjen e tyre.

Shpallja në kërkim e këtyre shtetasve u bë pasi , në vendin e quajtur “Çairet”, në fshatin Kaninë, gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë në banesën e shtetasit F. K., u gjet dhe u sekuestrua 210 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis. Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në një ambient pranë banesës së këtij shtetasi, e përshtatur si serë, me lidhje të jashtëligjshme të energjisë elektrike, Policia gjeti fidanë narkotikë të kultivuar në serë dhe në kubikë, si dhe një sasi prej 52 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, në proçes tharje.

Në vijim të veprimeve hetimore u arrestuan në flagrancë shtetasit, A. T., 61 vjeç, me detyrë kryeplak i fshatit Kaninë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit" dhe G. I., 51 vjeç, me detyrë elektricist pranë OSHEE-së, për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës". Të dy këta shtetas, në kundërshtim me ligjin nuk kanë përmbushur detyrën”, njofton policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Kultivim i bimëve narkotike”, “Vjedhje e energjisë elektrike”, "Shpërdorimi i detyrës" dhe "Moskallëzimi i krimit", njofton policia. 

 

Të fundit