Flash News

E-TJERA

Kapen rreth 17 kg heroinë brenda një kamioni, ishte nisur drejt Malit të Zi; arrestohet shoferi

Kapen rreth 17 kg heroinë brenda një kamioni, ishte nisur drejt Malit

Rreth 17 kg heroinë janë kapur nga policia kufitare mbrëmjen e kësaj të shtune në portin e Durrësit. Mësohet se lënda narkotike është gjendur brenda një kamioni, i cili ishte bosh dhe ishte nisur drejt Malit të Zi për t'u furnizuar me mallra.

Dyshimet lindën në pikën e kalimit kufitar të Hanit të Hotit, dhe për pasojë më pas, kamioni është sjellë në Portin e Durrësit, ku pas kontrollit me skaner është zbuluar dhe heroina në sarbatorin e kamionit. 

"Më datë 26 qershor, Policia e Shkodrës, në bashkëpunim me strukturat e Policisë Kufitare të Shkodrës, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, bazuar dhe në analizën e riskut, kanë kaluar për kontroll në vijën e dytë, në pikën e kalimit kufitar Hani i Hotit, një kamion me targa shqiptare që po qarkullonte për në drejtim të Malit të Zi. Për një kontroll më të specializuar, kamioni është shoqëruar në Portin e Durrësit, ku është kontrolluar nga Task Forca permanente e përbërë nga strukturat hetimore të Policisë Durrës, Policia Kufitare e Portit Durrës dhe autoritetet doganore të Portit Durres, që veprojnë përherë në Port. Nga kontrolli i specializuar rezultoi se në kamion kishte të fshehur rreth 17 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar heroinë." thuhet në njoftimin e policisë.

Burime zyrtare njoftojnë se shoferi i kamionit, nga qyteti i Vlorës, është arrestuar menjëherë nga policia. "Nuk kam dijeni për këtë, jam i punësuar, do shkojë për të marrë mallra jashtë" mësohet të ketë thënë në dëshminë paraprake shoferi i kamionit.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të ketij rasti, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë tentative për trafikim të drogave të forta.

Të fundit