Flash News

E-TJERA

Kathimerini: Si funksiononte rrjeti i mashtrimit nga Tirana që zhvaste miliona euro në Europë

Kathimerini: Si funksiononte rrjeti i mashtrimit nga Tirana që zhvaste
Një rrjet i gjerë mashtrimi online, që operonte përmes call center-ave në Tiranë, është çmontuar pas një hetimi të koordinuar mes autoriteteve shqiptare dhe atyre austriake, me mbështetjen e Europol dhe Eurojust.

Operacioni kulmoi më 17 prill, kur u arrestuan 10 persona të dyshuar dhe u kryen kontrolle në tre qendra thirrjesh dhe nëntë banesa. Gjatë bastisjeve, autoritetet sekuestruan rreth 900 mijë euro cash, si dhe qindra pajisje elektronike, përfshirë kompjuterë dhe telefona celularë, që dyshohet se përdoreshin për aktivitetin kriminal.

Sipas hetuesve, rrjeti kishte arritur të mashtrojë viktima në shkallë të gjerë, duke përfituar të paktën 50 milionë euro përmes platformave të rreme të investimeve online. Skema funksiononte përmes reklamave të targetuara në rrjetet sociale dhe motorët e kërkimit, të cilat i drejtonin përdoruesit drejt faqeve të falsifikuara.

Pasi viktimat regjistroheshin, ato kontaktoheshin nga persona që prezantoheshin si “këshilltarë investimesh”. Përmes teknikave të manipulimit psikologjik dhe përdorimit të programeve për akses në distancë, mashtruesit arrinin të merrnin kontrollin e pajisjeve të viktimave dhe t’i bindnin të transferonin shuma të konsiderueshme parash.

Hetimet zbuluan se rrjeti kishte shtrirje ndërkombëtare, duke synuar qytetarë në disa vende, përfshirë Greqinë, Italinë, Gjermaninë, Spanjën, Kanadanë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Madje, struktura e tij përfshinte edhe ekipe të dedikuara në gjuhën greke, për të rritur efektivitetin ndaj viktimave greqishtfolëse.

Ajo që e bën këtë rast edhe më kompleks është fakti se call center-at funksiononin si kompani të rregullta, me struktura të ndara në departamente si shitje, financë, IT dhe menaxhim, duke punësuar deri në 450 persona.

Në disa raste, viktimat janë kontaktuar për herë të dytë, kësaj here me premtimin se mund të rikuperonin fondet e humbura—një tjetër mashtrim që kërkonte pagesa shtesë, shpesh përmes kriptomonedhave.

Autoritetet vijojnë hetimet për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë rrjet dhe për të zbuluar dimensionin e plotë të aktivitetit kriminal, i cili konsiderohet një nga skemat më të mëdha të mashtrimit online të zbuluara së fundmi në rajon. Kthimerini

Të fundit