Flash News

E-TJERA

Kemi përmbytur edhe partitë, jo vetëm rrugët

Kemi përmbytur edhe partitë, jo vetëm rrugët

Nga Lutfi Dervishi

Në vende normale, partitë në pushtet e matin forcën me ide dhe me vota. Te ne, me anëtarë. Shifrat nuk kanë nevojë për analizë të thellë.
Gjermania ka 84 milionë banorë dhe CDU rreth 400 mijë anëtarë. Britania e Madhe, 70 milionë banorë, Partia Laburiste rreth 250 mijë. Franca, 69 milionë banorë, dhe partia e presidentit Macron mezi kalon 33 mijë anëtarë. Asgjë dramatike.
Italia, me 59 milionë banorë, ka Fratelli d’Italia të Melonit me rreth 204 mijë anëtarë. Rusia, 144 milionë banorë, dhe partia e Putinit rreth 400 mijë. Edhe aty, numrat ecin me realitetin, jo kundër tij.
Rasti ynë. 2 milionë e 363 mijë banorë, sipas INSTAT. Popullsia tkurret, fshatrat boshatisen, qytetet plaken, por listat e partive fryhen. Këtu ndodh ajo që s’e shpjegon as biologjia, as demografia: njerëzit ikin, anëtarësia shtohet. Administrata rritet, logjika dorëzohet.
Partia Socialiste numëron rreth 95 mijë anëtarë. Në raport me popullsinë, ky zell për anëtarësim, është pothuajse ekzotik. Një pasion që do ta kishin zili edhe sistemet e konsoliduara prej dekadash.
Në shumicën e vendeve europiane, partitë kërkojnë vota. Në Shqipëri, mbledhin anëtarë. Atje partitë janë organizata politike. Këtu janë rezervuarë. Dhe çdo rezervuar i mbushur pa kriter nuk sjell stabilitet. Sjell përmbytje. Dhe kur vjen përmbytja, nuk ka hidrovor që e mban.

Të fundit