Flash News

E-TJERA

Këshilli i Evropës kritikon Shqipërinë: Paraburgimi mbi mesataren europiane, të përdoren alternativa të tjera

Këshilli i Evropës kritikon Shqipërinë: Paraburgimi mbi

Shqipëria po përballet me kritika serioze ndërkombëtare për mënyrën se si zbaton masën e paraburgimit, e cila përdoret gjerësisht dhe për periudha të zgjatura, duke e renditur vendin në nivele shumë më të larta se mesatarja e Bashkimit Europian.

Në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATA), Drejtori i Përgjithshëm për të Drejtat e Njeriut dhe Sundimin e Ligjit në Këshillin e Evropës, Gianluca Esposito, deklaroi se situata në Shqipëri jep “shkak të vërtetë për shqetësim”.

Ai iu referua gjetjeve të raportit më të fundit të Komitetit për Parandalimin e Torturës (CPT), sipas të cilit Shqipëria mbetet ndër vendet me normat më të larta të burgosjes brenda Këshillit të Evropës. 

Esposito vuri theksin edhe te kohëzgjatja e paraburgimit, duke e cilësuar atë si një nga shqetësimet kryesore. Sipas tij, kohëzgjatja mesatare e paraburgimit në Shqipëri është 253 ditë, ose rreth 8.4 muaj.

“Kohëzgjatja e tepërt e paraburgimit dhe mungesa e arsyetimit të mjaftueshëm gjyqësor janë identifikuar gjithashtu nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në disa vendime kundër Shqipërisë”, tha Esposito.

Sipas tij, zgjidhja e problemit të mbipopullimit nuk duhet të fokusohet vetëm te ndërtimi i burgjeve të reja, por te ndryshimi i qasjes ndaj paraburgimit.

“Reduktimi i mbipopullimit nuk duhet të mbështetet vetëm në ndërtimin e burgjeve të reja, por në kufizimin e përdorimit dhe kohëzgjatjes së paraburgimit dhe zgjerimin e alternativave”, u shpreh Esposito.

Ai shtoi se kjo kërkon një angazhim aktiv të autoriteteve për të kufizuar përdorimin e kësaj mase dhe për t’i dhënë përparësi masave alternative, në përputhje me standardet evropiane dhe parimin themelor të drejtësisë.

“Kjo kërkon kufizimin aktiv të paraburgimit dhe dhënien e përparësive masave alternative, në përputhje me prezumimin e pafajësisë”, përfundoi ai.

 

Të fundit