Flash News

E-TJERA

Këshilli i Lartë Gjyqësor shkarkon gjyqtaren Mimoza Margjeka

Këshilli i Lartë Gjyqësor shkarkon gjyqtaren Mimoza Margjeka

 

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka shkarkuar gjyqtaren Mimoza Margjeka. KLGJ pranoi kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për procedim disiplinor me masën “Shkarkim nga detyra”, për shkelje disiplinore.

“Ushtrimi i parregullt i detyrës nga ana e magjistrates, si dhe për vetë natyrën e faktit penal të konsumuar, ka sjellë pasoja për dhënien e drejtësisë, ka diskredituar rëndë figurën, autoritetin, dinjitetin si dhe është dëmtuar rëndë besimi i publikut te magjistrati dhe organet e drejtësisë, të gjitha shkelje shumë të rënda disiplinore për të cilat ILD kërkoi masën e shkarkimit nga detyra, që u pranua nga Këshilli i Lartë Gjyqësor”, thuhet në vendim.

Më 12 dhjetor 2023, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi dënimet për gjyqtaren Mimoza Margjeka, të akuzuar për korrupsion, bashkëshortin e saj dhe tre të akuzuar të tjerë.

Mimoza Margjeka, e cila në kohën kur u ndalua, në shtator të vitit 2020, ishte e komanduar në gjykatën e Apelit Korçë, dyshohet se mori 6 mijë euro përmes bashkëshortit Arben Cara për të lehtësuar masën e sigurisë së një personi të ndaluar në Pogradec.

Kjo shumë parash, është dhënë me qëllim ndryshimin e masës së sigurimit, nga “arrest në burg” në “garanci pasurore”, ndaj shtetasit Orion Bali, i arrestuar për trafik klandestinësh.

Të fundit