Flash News

E-TJERA

Kim: Ky është vetëm fillimi. Krimi luftohet me institucione të pavarura. Soreca: Duhen përpjekje kundër korrupsionit publik

Kim: Ky është vetëm fillimi. Krimi luftohet me institucione

Ministria e Brendshme ka zhvilluar një konferencë me fokus krimit dhe pastrimin e parave, ku ishin të pranishëm ambasadorët e BE-së dhe SHBA-së, Luigi Soreca dhe Yuri Kim.

Soreca ka kërkuar më shumë përpjekje në luftën kundër korrupsionit, kryesisht në administratën publike. Ai është ndalur te krimet mjedisore, duke theksuar se ato sjellin fitime po aq sa trafiku i drogës. Soreca kërkoi marrjen e masave dhe në këte drejtim.

Sa i përket emigracionit, ambasadori nënvizoi nevojën e një vizioni strategjik, ndërsa rikonfirmoi mbështetjen e BE-së përballë këtyre sfidave.

“Duhet të bëhen përpjekje për të luftuar korrupsionin, sidomos në fushën e pastrimit të parave dhe korrupsionin publik. Jam i lumtur që kemi folur për sigurinë rrugore. Shqipëria ka prezantuar shumë nisma dhe ende kjo problematikë është shqetësim.

Kemi pasur numër të lartë aksidente rrugore vitet e fundit. Do të doja të flisja dhe për krimin mjedisor. Nuk mund t’i shtyjmë më tej angazhimet tona. Krimi mjedisor nuk është pa viktima, sepse krijohen dëme ndaj mjedisit.

Krimi mjedisor sjell shumë para dhe është po aq fitimprurës si tregtia e drogës, por është e vështirë për t’u kapur. Shqipëria po përballet në emigracion në rritje. Është i rëndësishëm zbatimi i plotë i legjislacionit. Nuk është punë e lehtë në këto momente të vështira. Është e rëndësishme për një vizion strategjik, e do të përfundoja duke thënë që do të kemi përgjegjësi të ndarë”, tha Soreca.

Ky është vetëm fillimi. Ishte ky mesazhi që përcolli Yuri Kim në këtë konferencë, ndërsa tha se gjatë këtij viti janë larguar nga sistemi gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar si dhe janë arrestuar politikanë.

Duke kërkuar rikthimin e besimit të qytetarëve te drejtësia, kryediplomatja amerikane u shpreh se e vetmja mënyrë për të luftuar krimin janë institucionet e pavarura.

Kim shtoi se po vjen një epokë e re, ndërsa u ndal te trafiku i drogës. Duke përmendur shifra të larta të trafikut të drogës në rajon, ajo tha se kjo ndodh me ndihmën e zyrtarëve.

Ambasadorja nënvizoi se është rritur trafiku i qenieve njerëzore, duke shtuar se aktiviteti i paligjshëm i pastrimit të parave vijon.

“Kur njerëzit e ndershëm shohin politikanë të korruptuar ata humbasin besimin në sistem. Atyre duhet t’u garantohet se do të kenë çdo shans përballë njerëzve të tillë. E vetmja mënyrë për të luftuar krimin e organizuar është të kemi institucione të pavarura që mbështesin zbatimin e ligjit.

Shqipëria ka arritur suksese të vërteta në vitin 2021 që nga largimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, arrestimi i politikanëve. Ky është vetëm fillimi. Ne po shohim një epokë të re. Ekziston ndjesia se pandëshkueshmëria po merr fund. 60-65 ton heroinë kontrabandohen në rajon gjatë vitit. Kjo tregon që trafikimi mund të ndodhë vetëm me ndihmën e aktorëve shtetërorë.

Trafikimi i qenieve njerëzore është rritur gjithashtu. Mijëra emigrantë kalojnë përmes Shqipërisë për në BE. Korrupsioni luan një rol në këtë gjë. Grupet e krimit të organizuar vazhdojnë të pastrojnë paratë”, tha Yuri Kim.

 

Të fundit