Flash News

E-TJERA

Kishte tentuar të vriste një person në 2022 në Sarandë, arrestohet 38-vjeçari shqiptar në Korfuz

Kishte tentuar të vriste një person në 2022 në Sarandë,
Majtas, Dino Majko dhe djathas autori i arrestuar Enivled Aliaj

Policia greke ka arrestuar 38-vjeçarin, Enivled Aliaj. Operacioni i uniformave blu u zhvillua më datën 14 prill, pas kontrolleve nga skuadra DIAS dhe policisë së Korfuzit.

Policia shqiptare ka informuar policinë greke mbi vendndodhjen e të shumëkërkuarit. Enivled Aliaj rezulton i shpallur në kërkim nga Interpol Tirana për veprën penale “vrasje me dashje e mbetur në tentative”.

Në 9 prill të vitit 2022 tek shëtitorja e Sarandës, Aliaj kishte tentuar të vriste me thikë shtetasin Dino Majko, aktualisht 30 vjeç, duke e plagosur rënde.

Rreth 1 muaj para ngjarjes Aliaj mësohet se i kishte dëmtuar më thikë gomat e makinës Majkos dhe dy ditë pas kësaj kishte kanosur me thikë brenda ambienteve të Spitalit të Sarandës ish-bashkëshorten e tij.

Për këtë ngjarje ndaj Aliajt ka një masë të dytë sigurimi “Arrest ne burg” dhënë nga Gjykata e Apelit Gjirokastër në 5 maj 2022 për veprën penale “dhunë në familje”.

Ndërkohë për rastin e tentativës së vrasjes ndaj Dino Majkos, në Gjykatën e Sarandës po zhvillohet gjykimi ndaj shtetasit Enivled Aliaj.

NJOFTIMI I POLICISË:

Finalizohet një tjetër operacion i përbashkët me homologët, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht, për krime kundër personit.

Operacioni policor i koduar “Ishulli“, u finalizua si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Policisë së Greqisë, si dhe falë shkëmbimit të informacionit ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Athinës.

Tentoi të vriste një shtetas, rreth një vit më parë, në Sarandë, duke e goditur disa herë me mjet prerës (thikë), kapet në Korfuz dhe arrestohet për t’u ekstraduar drejt vendit tonë, 38-vjeçari i shpallur në kërkim.

Në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë, me qëllim lokalizimin, arrestimin dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vepra të ndryshme penale dhe si rezultat i shkëmbimit të menjëhershëm të informacionit ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Policisë së Greqisë, për vendndodhjen e një shtetasi të kërkuar për krime kundër personit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Ishulli”,

Si rezultat i këtij operacioni, është kapur në Korfuz, Greqi dhe është arrestuar përkohësisht, me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar E. A., 38 vjeç, banues në Sarandë.

Ndaj 38-vjeçarit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë. Më datë 09.04.2022, në lagjen nr. 1, Sarandë, dyshohet se pas një konflikti të çastit, shtetasi E. A. ka goditur disa herë me mjet prerës (thikë), në pjesë të ndryshme të trupit, shtetasin D. M. dhe i ka shkaktuar atij, dëme serioze për jetën dhe shëndetin.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Athinën, vijojnë veprimet për ekstradimin e 38-vjeçarit, drejt vendit tonë.

Të fundit