Flash News

E-TJERA

KLP mblidhet nesër për të zgjedhur kryetarin

KLP mblidhet nesër për të zgjedhur kryetarin

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka thirrur një mbledhje ditën e nesërme në orën 09:30  për zgjedhjen e kryetarit të ri, pas shkarkimit të Alfred Ballës nga ky funksion, në zbatim të vendimit të KPA-së, e cila vendosi përjashtimin e tij nga sistemi i drejtësisë për 15 vjet.

Aktualisht KLP drejtohet nga zv.Kryetari, Tartar Bazaj, i cili në mbledhjen e fundit, gjatë debatit që pati me anëtaren Nurihan Seitaj, tha se nuk ka asnjë ambicie për të marrë drejtimin e KLP-së, duke kujtuar faktin se i ka mbaruar mandati si anëtar.

Nuk dihet nëse në mbledhjen e së premtes KLP do të arrijë të zgjedhë një prej anëtarëve jo-magjistratë në krye të Këshillit, apo do të vendoset që të pritet mbyllja e procedurës për zgjedhjen e anëtarëve të rinj nga Kuvendi.

Pak ditë më parë opozita ngriti pretendime se Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit kishte manipuluar me listat e kandidatëve për anëtarë të KLP-së.

Alfred Balla u shkarkua me 9 vota pro dhe 1 kundër si Kryetar i KLP-së në mbledhjen e 27 majit.

Alfred Balla nuk ishte i pranishëm në mbledhje, e cila u thirr nga nënkryetari i KLP-së, Tartar Bazaj me objekt “deklarimin e mbarimit të mandatit”.

Sipas vendimit të KPA, për 15 vitet e ardhshme Balla e ka të ndaluar të jetë pjesë e sistemit të drejtësisë. Atij i ka përfunduar mandati i anëtarit të KLP-së prej disa muajsh, por vijonte të qëndronte në detyrë deri në momentin që do të zgjidheshin anëtarët e rinj, nga radhët e shoqërisë civile.

Të fundit