Flash News

E-TJERA

KLP reagon ndaj sulmeve të Ramës: Të respektohet pavarësia e prokurorëve

KLP reagon ndaj sulmeve të Ramës: Të respektohet pavarësia e

Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka reaguar pas deklaratave të Kryeministrit Edi Rama, i cili gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS e quajti ekstremist të djathtë prokurorin dhe gjyqtarin që vendosën firmën për arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj.

Në një deklaratë zyrtare, KLP ka bërë thirrje për respektimin e pavarësisë dhe integritetit profesional të prokurorëve, duke theksuar se pavarësia e këtij institucioni është themelore për besimin e qytetarëve tek drejtësia dhe për garantimin e një sistemi ligjor të drejtë e transparent.

"Këshilli i Lartë i Prokurorisë rithekson mbështetjen e tij ndaj institucionit të prokurorisë për të ushtruar funksionet e tij në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe në përputhje me ligjin. Respektimi i këtyre parimeve është thelbësor për forcimin e shtetit të së drejtës," thuhet në reagimin e KLP-së.

KLP i bëri thirrje të gjithë aktorëve politikë që të mos ndërhyjnë në punën e prokurorëve dhe t’u lejojnë atyre të kryejnë detyrën e tyre pa ndikime të jashtme, duke vënë theksin tek rëndësia e një drejtësie të pavarur në një shtet demokratik.

Reagimi i KLP:

Në vijim të qëndrimeve të mëparshme për garantimin e pavarësisë së prokurorëve, Këshilli i Lartë i Prokurorisë rithekson mbështetjen ndaj institucionit të prokurorisë për ushtruar funksionet e tij në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe në përputhje me ligjin. Ruajtja e këtyre parimeve është thelbësore për funksionimin e drejtësisë dhe forcimin e shtetit të së drejtës.

Këshilli kërkon nga të gjithë aktorët që të respektojnë pavarësinë dhe integritetin profesional të prokurorëve, duke siguruar që ata të ushtrojnë funksionet e tyre pa ndikime të jashtme në funksion të dhënies së drejtësisë. Pavarësia e prokurorisë është një gur themeli për besimin e qytetarëve tek institucionet e drejtësisë dhe për garantimin e një sistemi ligjor të drejtë e transparent.

Të fundit