E-TJERA

Rikthehet për herë të parë në detyrë një gjyqtar të shkarkuar nga KPK

Rikthehet për herë të parë në detyrë një
Gjyqtari Fuat Vjerdha pas vendimit të KPK-së. | Foto nga : LSA

Fuat Vjerdha i Apelit të Shkodrës u rikthye në detyrë me vendim unanim të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, duke shënuar rastin e parë të prishjes së një vendimi shkarkimi në shkallë të parë.

Fuat Vjerdha është i pari gjyqtar i shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i cili rikthehet në detyrë me vendim të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Të premten, trupa e kryesuar nga Ardian Hajdari, me relatore Ina Rama dhe anëtarë Albana Shtylla, Natasha Mulaj dhe Rezarta Schuetz njoftoi se kishte prishur vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili e shkarkonte Vjerdhën për “cënim të besimit të publikut te drejtësia”.

Fuat Vjerdha e ka nisur karrierën në sistemin gjyqësor në vitin 1994 dhe në nisje të procesit të vetingut ushtronte detyrën e kryetarit të Gjykatës së Apelit të Shkodrës.

Vjerdha iu nënshtrua një procesi të gjatë vetingu në KPK. Ndaj tij u zhvilluan dy seanca dëgjimore dhe ai u pyet kryesisht mbi pasurinë dhe vendimarrjen në disa raste. Procesi ndaj tij në KPK u krye nga një trupë e kryesuar nga Olsi Komici, me relator Lulzim Hamitaj dhe anëtare Pamela Qirko.

Vendimi i KPK-së për shkarkimin e Vjerdhës bazohej kryesisht në vendimmarrjen e tij dhe dy kolegëve të Apelit të Shkodrës për të lehtësuar dënimin e Sokol Mjacaj, i akuzuar bashkë me dy persona të tjerë për vrasjen e një 13-vjeçari në vitin 2010. Mjacaj, që po ashtu ishte vetëm 13 vjeç në këtë kohë, u dënua fillimisht me 10 vjet burg, por në Apel ai u dënua vetëm për moskallëzim krimi me 4 vjet burg. Pas lirimit, Mjacaj vrau dy turistë dhe zbutja e dënimit të tij në Apel u kthye në debat publik.

Vjerdha këmbënguli në seancë dëgjimore se kishte krijuar bindjen që Mjacaj nuk kishte marrë pjesë në vrasje. Në mbrojtjen e tij, Vjerdha kishte këmbëngulur se vendimet kishin qenë të bazuara në ligj dhe në bindjen e brendshme, ndërsa kundërshtoi akuzat dhe denoncimet që iu bënë./ Birn

Ditari politik

Të fundit