Flash News

E-TJERA

Komuniteti në Tramore të Irlandës proteston për të mbrojtur familjen shqiptare nga riatdhesimi

Komuniteti në Tramore të Irlandës proteston për të

Dhjetëra prindër dhe fëmijë u mblodhën të shtunën në mëngjes në qytetin bregdetar të Tramore për t’i bërë thirrje Ministrit të Drejtësisë që të ndalojë dëbimin e një familjeje shqiptare dhe t’u japë atyre të drejtën të qëndrojnë në Irlandë për arsye humanitare, shkruajnë mediat vendase.

Tubimi u organizua jashtë Ocean View Guest House, ku familja jeton që prej zhvendosjes së tyre nga Shqipëria në vitin 2022. Nxënës nga shkolla Tramore Educate Together, përfshirë shoqet e klasës së vajzës gjashtëvjeçare të familjes, Luna, mbanin pankarta dhe brohorisnin “Dëbim në asnjë mënyrë, ne duam që miqtë tanë të qëndrojnë”.

“Fakti që po mbledhim mbështetje për një gjashtëvjeçare është i tmerrshëm”, tha organizatorja Aoife O'Driscoll, një nga prindërit që nisi fushatën në mbështetje të familjes pasi mori vesh për njoftimin e dëbimit. Ajo shton se e gjithë jeta e Lunës është ndërtuar në komunitetin e Tramore.

Nëna e vajzës, e cila kërkoi të mbetet anonime, tha se u detyruan të largoheshin nga Shqipëria për shkak të kërcënimeve dhe frikës nga trafikimi i fëmijëve. “Askush nuk dëshiron të flasë keq për vendin e tij, por Shqipëria nuk është e sigurt”, tha ajo.

Aktualisht, Shqipëria konsiderohet një nga vendet e sigurta të origjinës nga shteti irlandez, çka e vështirëson procesin e marrjes së azilit për shtetasit shqiptarë.

Familjes i është kërkuar të largohet nga Irlanda deri në fund të gushtit, ndryshe do të dëbohet. Komuniteti ndërkohë ka premtuar se nuk do të ndalet së kërkuari drejtësi.

Të fundit