Flash News

E-TJERA

'Koncesioni i Sterilizimit', Beqaj do të pyetet sërish nga SPAK

'Koncesioni i Sterilizimit', Beqaj do të pyetet sërish nga

Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj do të ripyetet sërish nga SPAK për koncesionin e sterilizimit.

SPAK do të marrë në pyetje dhe 4 ish-zyrtarët e tjerë për të cilët gjykata ka sugjeruar hetimet.

Beqaj do të pyetet në lidhje me udhëtimet që ka kryer në drejtim të Italisë dhe Vjenës me ish-zëvendësin e tij Klodian Rjepaj dhe biznesmenin që fitoi koncesionin për sterilizimin e seteve kirurgjikale.

Një ditë më parë reagoi në rrjetet sociale vetë Ilir Beqaj, i cili deklaroi se sterilizimi ngriti në një tjetër nivel kirurgjinë shqiptare dhe se kontratën e koncesionit e firmosi për nevoja pune.

Por ish-ministri i Shëndetësisë nuk përmendi aspak mungesën e dokumentit origjinal të kontratës së koncesionit të sterilizimit, që SPAK nuk po e gjen.

Skandali i koncesionit të sterilizimit

Koncesioni i sterilizimit është kontrata më e shtrenjtë e partneritetit publik privat e qeverisë ‘Rama’ në sektorin e shëndetësisë, e cila u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë rreth 76 milionë euro deri në fund të vitit 2022.

Pasi hetoi për 3 vjet, Prokuroria e Posaçme, SPAK, kërkoi në gjykatë arrestimin e ish-zv.ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenit Ilir Rrapaj dhe masa më të buta sigurie për gjashtë anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit.

Emri i Ilir Beqjajt mungonte në kërkesën e SPAK, por pasi shqyrtoi provat, gjyqtari Erion Bani i Gjykatës së Posaçme çmoi se shkeljet e akteve ligjore dhe nënligjore ngrihen në nivelin e përgjegjësisë penale për ish-ministrin e Shëndetësisë.

Ai vlerësoi gjithashtu se hetimet ishin të paplota dhe ndjekja penale duhet të zgjerohej edhe ndaj ish-ministrit të Financave, Shkëlqim Cani dhe katër anëtarëve të Komisionit të Prokurimeve Publike, KPP, që kishin rrëzuar më parë një ankesë ndaj fituesve.

Sipas vendimit, shkeljet e ligjit në procedurat e dhënies së koncesionit ishin bërë me “qëllimin e vetëm për shpalljen fitues” të kompanive që u përkasin Ilir Rrapajt dhe ortakut të tij italian, Umbro Staccini.

Lista e shkeljeve përmban një studim fizibiliteti me të dhëna të rreme në kundërshtim me ligjin; hartimi i kritereve në mënyrë të tillë që t’u përshtateshin gjendjes reale të kompanive të përzgjedhura paraprakisht si dhe mosveprimin e Beqajt për zgjidhjen e konfliktit të interesit mes Rrjepajt si kryetar i komisionit të koncesionit dhe Rrapajt si përfitues i tij.

Shkelje ligjore janë gjetur edhe gjatë negocimit të kontratës koncesionare, që sipas gjyqtarit kanë qenë “dukshëm në favor të kompanisë së shpallur fituese, në dëm të interesave të shtetit”.

Gjykata çmon gjithashtu se dy prokurorët e çështjes, Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi kanë qenë dorështrënguar edhe me veprat penale; ndërsa vlerëson se ka indicie të mjaftueshme për të hetuar për korrupsion aktiv dhe pasiv si dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

“Nga ana e prokurorisë duhet të bëhet një hetim i plotë dhe i gjithanshëm në këtë drejtim, fakt i cili nuk rezulton nga fashikulli hetimor,” arsyeton gjyqtari Bani, i cili sugjeron se “për këtë nevojitet hetim pasuror”.

 

 

Të fundit