Flash News

E-TJERA

Konsumojmë pak, por shpenzojmë shumë: Shqipëria me faturën më “të kripur” të çmimeve në Evropë

Konsumojmë pak, por shpenzojmë shumë: Shqipëria me

Një shqiptar mesatarisht për vitin 2022, llogaritet të ketë konsumuar rreth 5200 euro për frymë, sipas Eurostat. Shifra fiksohet në 5178 euro për frymë, nga 4436 euro për frymë që ishte në vitin 2021, në rritje me 16.7%.

Sipas të dhënave të përpunuara nga Scan Intel, kjo rritje është ndjeshëm mbi normën e Bashkimit Europian, që fiksohet pranë 10%. Rritja e shpenzimeve për frymë llogaritet në 17% gjatë vitit 2022, dy herë më e lartë se norma zyrtare e inflacionit në vend. Rritja erdhi edhe si rrjedhojë e rritjes së çmimeve.

Në Bashkimin Europian, norma zyrtare e inflacionit për vitin 2022 fiksohet në 9.2%, ndërsa rritja e shpenzimeve për frymë pranë 10%, çka tregon një përputhje mes dy shifrave, në një kohë që në realitetin shqiptar, norma zyrtare e inflacionit fiksohet në 6.7% sipas Instat, dhe shpenzimet për frymë janë rritur me 16.7% sipas Eurostat, pra 2.5 herë më të larta.

Edhe pse ka një rritje të shpenzimeve, sipas raportit, shqiptarët janë ata që konsumojnë më pak në continent, pasi nuk ka asnjë shtet në Evropë me një shifër konsumi për frymë nën 5178 euro në vit.

Një europian mesatar shpenzon në vit rreth 23 mijë euro, ose mbi 4 herë më shumë se një shqiptar.

Vetëm për ushqim, mesatarisht një shqiptar shpenzoi gjatë vitit 2022 rreth 2002 euro, nga 1697 euro që shpenzonte në vitin 2021. Një europian mesatar ndërkohë shpenzon rreth 2342 euro për ushqim në vit, çka tregon se shqiptarët shpenzojnë për ushqim thuajse njësoj sa europianët, edhe pse të ardhurat janë ndjeshëm më të ulta se në Europë.

Në harkun e një viti, shpenzimet e një shqiptari janë rritur mesatarisht me 742 euro, ose rreth 62 euro çdo muaj.

Të fundit