Flash News

E-TJERA

Kontejnerët me mbetjet e dyshuar të rrezikshme nesër shkarkohen në Durrës

Kontejnerët me mbetjet e dyshuar të rrezikshme nesër shkarkohen

Ditën e nesërme, rreth orës 08:00, anija "Moliva" me 102 kontejnerë të ngarkuar me mbetje të dyshuara të rrezikshme pritet të ankorohen në portin e Durrësit.

Anija ka qëndruar në radën portuale për disa ditë, pas një vendimi të Prokurorisë për sekuestro, ndërkohë që procedurat për shkarkimin dhe transportimin e mbetjeve do të fillojnë menjëherë pas ankorimit.

Pasi të ankorohet, do të nisë procedura e shkarkimit të kontejnerëve në kalatë e portit dhe transportimi i tyre në një zonë të sigurt, e cila është identifikuar pas një mbledhjeje të zhvilluar mes autoriteteve portuale dhe policisë.

Zona ku do të depozitohen mbetjet do të administrohet nga organet ligjzbatuese dhe Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.

Në përputhje me vendimin e prokuroreve të Durrësit, Suela Beluli dhe Mediana Meta, mbetjet do të depozitohen në një vend të sigurt për sa i përket sigurisë mjedisore dhe fizike, dhe do të monitorohen 24 orë në ditë me kamera. Edhe pse nuk është zbuluar ende vendi eksakt i shkarkimit, burimet thonë se do të jetë një zonë larg nga vendbanimet.

Mbetjet e dyshuara, të cilat janë refuzuar nga autoritetet tajlandeze, përmbajnë pluhur me siglën EAF, i cili dyshohet se ka përqindje të lartë metalesh të rrezikshme si plumb dhe krom, si dhe substanca kimike që shkaktojnë kancer.

Pas sekuestrimit të anijes, do të kryhen analizat e mëtejshme me marrjen e kampionëve nga secili kontejner dhe dërgimin e tyre në laboratorë të specializuar për verifikim.

Anija "Moliva" mbërriti në Durrës më 28 tetor, ndërsa plani për trajtimin e mbetjeve ka marrë formën e një hetimi të thelluar, i cili u ngrit pasi organizata mjedisore "Basel Action Network" denoncoi eksportin e dyshuar të mbetjeve të rrezikshme. Pas sinjalizimit nga autoritetet vendase, Tajlanda refuzoi të importonte mbetjet, të cilat ishin nisur nga Durrësi në fillim të korrikut.

Të fundit