Flash News

E-TJERA

Kontrolle pas atentatit në Rinas, zbulohen armë dhe bomba me telekomandë në Nikël

 Kontrolle pas atentatit në Rinas, zbulohen armë dhe bomba me

Policia e Shtetit ka zhvilluar një operacion të gjerë në zonën e Niklës së Fushë-Krujës, ku gjatë kontrollit të banesave dhe ambienteve përreth janë sekuestruar një arsenal armësh që dyshohet se lidhet me atentatin e 11 nëntorit pranë aeroportit të Rinasit.

Në atë ngjarje u ekzekutua Gilmando Dani, ndërsa mbeti i plagosur Muçi Shaljani, i njohur si agjent i AMP-së.

Sipas burimeve policore, efektivët e RENEA-s dhe strukturave të tjera hetimore kanë gjetur në Nikël automatikë, mitralozë, granata dore, fishekë si edhe disa mina të telekomanduara, të gatshme për përdorim. Ky arsenal vlerësohet si një ndër zbulimet më të mëdha të armëve në muajt e fundit, çka tregon nivelin e organizimit të grupimeve kriminale që veprojnë në zonë.

Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se armët mund të jenë përdorur ose planifikuar për atentate të tjera, ndërsa dyshohet se janë mbajtur nga persona të përfshirë në aktivitet kriminal. Policia ka identifikuar një nga individët që dyshohet të ketë pasur lidhje me armët e sekuestruara, i cili tashmë është shpallur në kërkim.

Operacioni vjen pas atentatit mafioz në Rinas, ku mbi 80 plumba u qëlluan drejt makinës së Gilmando Danit dhe Muçi Shaljanit. Hetimet po vijojnë për të zbardhur rrjetet kriminale të përfshira dhe për të identifikuar autorët e sulmit, si edhe bashkëpunëtorët që dyshohet se i kanë ndihmuar.

Të fundit