Flash News

E-TJERA

Korrupsion dhe krizë politike në Tiranë, mediat italiane jehonë protestës së PD-së

Korrupsion dhe krizë politike në Tiranë, mediat italiane

Mediat dhe agjencitë italiane të informacionit i kanë kushtuar vëmendje të veçantë protestës së Partisë Demokratike në Tiranë. Kanali televiziv Sky TG24, një nga më të rëndësishmit në Itali me transmetim 24 orë, ka përcjellë kronikën e plotë të protestës, raporton Alba Kepi për Syri.

Sipas Sky TG24, mbrëmjen e sotme, në përfundim të protestës së opozitës së qendrës së djathtë të udhëhequr nga Sali Berisha, raportoi se disa bomba molotov u hodhën drejt selisë së qeverisë shqiptare në Tiranë gjatë protestës së opozitës.

Forcat e rendit, të vendosura përgjatë gjithë perimetrit të Kryeministrisë, ndërhynë për të shuar flakët, duke shmangur përplasjet e drejtpërdrejta me protestuesit. Megjithatë, manifestuesit arritën të thyejnë edhe gardhin metalik të vendosur përpara godinës.

Sky TG24 thekson se protesta kishte si kërkesë kryesore dorëheqjen e kryeministrit socialist Edi Rama. Sipas kronikës së televizionit italian, tubimi u zhvillua në një klimë tensioni dhe pasoi dy hetime të rëndësishme të Prokurorisë Speciale Kundër Korrupsionit (SPAK).

Hetimi i parë, raporton Sky TG24, lidhet me një seri tenderësh publikë ku është e përfshirë zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, për të cilën është kërkuar edhe autorizimi për procedim penal.

Hetimi i dytë përfshin Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), një nga institucionet më të rëndësishme të vendit, e përfshirë në një skandal korrupsioni; drejtoresha dhe zëvendësja e saj ndodhen në arrest shtëpie.

Në fjalimin e tij, sipas Sky TG24, Sali Berisha përdori tone shumë të ashpra ndaj kryeministrit Rama, duke e quajtur atë “një kufomë politike” dhe duke deklaruar se opozita nuk do të tërhiqet “deri në fitore”, duke e akuzuar qeverinë për një regjim që, sipas tij, nuk largohet përmes votës së lirë.

Të fundit