Flash News

E-TJERA

Kreu i SPAK shkon në Prishtinë, bashkëpunim Shqipëri-Kosovë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit

Kreu i SPAK shkon në Prishtinë, bashkëpunim

Shqipëria dhe Kosova kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi në luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit, pastrimit të parave, terrorizmit dhe veprave tjera penale. Ajo është firmosur nga kryeprokurori i Kosovës Aleksandër Lumezi dhe drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Arben Kraja, i cili ka qenë sot i pranishëm në Prishtinë.

Qëllimi i nënshkrimit të këtij memorandumi në mes të dy institucioneve është që të avancohet bashkëpunimi i drejtpërdrejtë kundër krimit të organizuar, korrupsionit, pastrimit të parave, terrorizmit dhe veprave tjera penale në kuadër të juridiksioneve të të dyja vendeve dhe në përputhje të plotë me ligjet kombëtare përkatëse. Po ashtu, synohet të zbulohen, hetohen dhe të dënohen të gjithë autorët e përfshirë në veprimtaritë kriminale, duke shkëmbyer informacione, dokumente që lidhen me hetimin dhe kompetencat respektive në mes të autoriteteve nënshkruese të këtij memorandumi.

Palët nënshkruese të memorandumit janë dakorduar që të promovojnë zhvillimin e kontakteve dhe marrëdhënieve në nivel profesional të zyrave përkatëse, duke i caktuar edhe pikat kontaktuese për shkëmbimin e informacioneve dhe akteve tjera të nevojshme.

Si Lumezi dhe Kraja janë zotuar që të ketë një bashkëpunim të ngushtë mes dy institucioneve në luftimin e të gjitha formave të krimit që prekin interesat ekonomike, financiare dhe shoqërore të të dyjave vendeve.

Të fundit