Flash News

E-TJERA

Kroacia po shqyrton padinë ndaj Shqipërisë për mbeturinat në bregdetin e Dubrovnikut

Kroacia po shqyrton padinë ndaj Shqipërisë për mbeturinat

Në Kroaci po diskutohet mundësia e ngritjes së një padie kundër Shqipërisë për shkak të mbeturinave që u transferuan kohët e fundit nëpër rrugët detare drejt brigjeve të Dubrovnikut. Këtë ide e ka ngritur në mbledhjen e këshillit bashkiak këshilltarja dhe avokatja Viktorija Knežević, shkruajner mediat vendase. 

“Pas një analizimi të plotë të situatës, përgjigjja është se teorikisht mundemi, por praktikisht është shumë e vështirë të kemi sukses. Kjo nuk do të thotë se duhet të heqim dorë nga ideja, veçanërisht nëse asgjë tjetër nuk sjell rezultat. Pyetja më e rëndësishme tani është se çfarë masash mund të marrim për të parandaluar që plazhet tona të mbushen përsëri me mbeturina“, tha Knežević.

Ajo theksoi se Konventa e Barcelonës detyron të gjitha vendet mesdhetare, përfshirë Shqipërinë, të marrin masa për të reduktuar sasinë e mbeturinave që përfundojnë në det. Kroacia mund të propozojë gjithashtu që Adriatiku jugor të shpallet zonë prioritare për këtë çështje.

“Shqipëria është në procesin e negociatave për anëtarësim në BE, gjë që i jep Kroacisë mundësi për të kërkuar rezultate konkrete në mbrojtjen e Adriatikut. Ekziston një projekt bashkëpunimi kroato-shqiptar me UNDP-në, i cili mund të zgjerohet për të përfshirë grykëderdhjet e lumenjve dhe vendgrumbullimet problematike të mbetjeve”, shtoi ajo.

Sipas Knežević, mbeturinat që dalin në plazh përbëjnë vetëm rreth 20% të totalit, ndërsa 80% e tyre përfundojnë në shtratin e detit.

“Ajo që shohim në breg është vetëm maja e ajsbergut. Barrën kryesore mjedisore e bart deti, ku ekosistemi, peshkatarët, turizmi dhe shëndeti i detit vuajnë pasojat”, tha ajo.

Knežević theksoi se ekzistojnë modele bashkëpunimi të suksesshme për menaxhimin e mbetjeve, si në Detin Baltik, ku vendet fqinj kanë arritur të reduktojnë ndjeshëm sasinë e mbeturinave në bregdet përmes planeve të përbashkëta veprimi.

Të fundit