Flash News

E-TJERA

Kryebashkiaku Veliaj i jep “Çelësin e Qytetit” Presidentes së Kosovës në detyrë, Vjosa Osmani

Kryebashkiaku Veliaj i jep “Çelësin e Qytetit”

Shtatorja e Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova do të vendoset së shpejti në Tiranë, si një vlerësim për gjithçka bëri në Kosovë dhe mbarë shqiptarinë. Lajmi i mirë u dha nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili zhvilloi sot një takim me Presidenten e Kosovës në detyrë, Vjosa Osmani, të cilës i dorëzoi edhe “Çelësin e Qytetit”.

“Jam shumë i lumtur për vizitën në Tiranë. Dua të të dhuroj “Çelësin e Qytetit”, si simbol i një dere të hapur, si simbol i një vendi që duhet të jetë shtëpia jote, shtëpia e të gjithë shqiptarëve. Mezi pres që t’i bëjmë realitet të gjitha nismat për të cilat diskutuam sot, sidomos ato për fuqizimin e rolit të grave dhe vajzave në politikë. Jam shumë krenar për ju, për punën që po bëni dhe për gjithë energjinë pozitive në Kosovë”, tha Veliaj.

Presidentja Osmani falenderoi Veliajn për mikpritjen dhe theksoi se mezi pret rritjen e marrëdhënieve mes Tiranës dhe Prishtinës. “Tirana është e të gjithë shqiptarëve, prandaj edhe përgjegjësia juaj është e shumëfishtë në krahasim me çdo kryetar komune kudo në Kosovë, në Shqipëri, apo edhe në vende të tjera ku banojnë dhe jetojnë shqiptarët. Presim që bashkëpunimin ta rrisim jo vetëm ndërmjet Prishtinës dhe Tiranës, por presim që të shërbeni si shembull, edhe për komunat e tjera, për arritjet në çdo fushë”, tha ajo, e cila i dorëzoi kryebashkiakut një kristal prej minierës së Trepçes.

Veliaj dhe Osmani dakordësuan edhe për rritjen e bashkëpunimit dhe mbështetjes së të rinjve, veçanërisht në nxitjen e start-upeve dhe inkurajimit të industrisë së kodimit.

 

Të fundit