Flash News

E-TJERA

Kryetarja e Kushtetueses: Kodi i ri Penal duhet të jetë parzmore për qytetarin, jo shpata e shtetit

Kryetarja e Kushtetueses: Kodi i ri Penal duhet të jetë parzmore

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, gjatë tryezës së organizuar për prezantimin e ndryshimeve në Kodin e Ri Penal, nënvizoi rolin e Kushtetueses kur tha se kjo gjykatë nuk qeveris dhe harton ligje.

“Detyra e saj është të ruajë Kushtetutën dhe të sigurojë që çdo ligj të matet me standardin më të lartë të drejtësisë. Ju siguroj se kjo Gjykatë nuk është tërhequr kurrë nga kjo përgjegjësi – dhe nuk do të tërhiqet as në të ardhmen”, tha Zaçaj.

Ndër të tjera, theksoi se Kodi i ri duhet të jetë parzmorja mbrojtëse e qytetarit dhe jo shpata e shtetit.

“Kodi i ri nuk është vetëm një tekst ligjor. Ai është një provë: për institucionet tona, për pjekurinë tonë politike, dhe për aftësinë tonë për të vendosur parimet mbi pasionet. Dispozitat e këtij Kodi do të dëgjohen jo vetëm në sallat e gjyqeve dhe në media, por edhe në vendet ku kamerat nuk shkojnë — në qelitë e paraburgimit, në heshtjen e një marrjeje në pyetje gjatë natës, në jetën e një të riu, fati i të cilit do të varet nga zbatimi i drejtësisë, jo nga teksti i saj.

Nëse ky Kod do t’i shërbejë Shqipërisë, nuk duhet t’i shërbejë pushtetit. Nuk duhet të jetë dhe as të bëhet një mjet frike apo ndasie. Duhet të jetë parzmorja mbrojtëse e qytetarit, JO shpata e shtetit. Duhet të mbrojë sundimin e ligjit, JO sundimin e ligjvenesve”, deklaroi ajo.

Të fundit