Flash News

E-TJERA

KShH evidenton shkeljet: Meta, 40 minuta ajrim në ditë, sistemi i emergjence jashtë funksionit

KShH evidenton shkeljet: Meta, 40 minuta ajrim në ditë, sistemi i

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka publikuar një raport mbi kushtet e trajtimit të ish presidentit Ilir Meta në paraburgimin e njohur si Burgu 313, duke konstatuar një sërë problematikash që lidhen me respektimin e të drejtave themelore.

Sipas raportit, disa nga ankesat e ngritura nga Meta rezultojnë të verifikuara, ndërsa në thelb theksohet cenimi i dinjitetit njerëzor dhe standardeve minimale të trajtimit për të paraburgosurit.

Një ndër çështjet e evidentuara është mungesa e ndriçimit në ambientet e tualetit, e cila sipas Komitetit krijon kushte të papërshtatshme higjieno-sanitare dhe ndikon drejtpërdrejt në dinjitetin e personit.

Po ashtu, raporti ndalet te sistemi i ziles së emergjencës, i cili sipas verifikimeve nuk ka qenë funksional. Kjo situatë konsiderohet problematike, pasi cenon sigurinë e të paraburgosurve në raste nevoje urgjente shëndetësore apo situata të tjera kritike.

Në lidhje me ajrimin, KShH konstaton se Meta ka përfituar kohë më të kufizuar nga sa parashikon ligji, duke qëndruar jashtë qelisë nga 40 deri në 90 minuta në ditë. Për këtë arsye, institucioni rekomandon marrjen e masave të menjëhershme për respektimin e standardit minimal dhe trajtim të barabartë me të paraburgosurit e tjerë.

Një tjetër çështje e ngritur lidhet me kufizimin e takimeve, ku sipas Komitetit, përfshirja e kontakteve me përfaqësues politikë në kategorinë e takimeve familjare nuk është në përputhje me të drejtën e deputetëve për të hyrë në institucion pa autorizim paraprak.

Raporti trajton edhe masën disiplinore 14-ditore të vendosur ndaj Metës, duke theksuar se mosnjoftimi i tij me vendimin nuk mund të justifikohet me mungesën e pjesëmarrjes në procedurë. Sipas KShH, ligji kërkon që çdo vendim i arsyetuar t’i komunikohet të paraburgosurit për të garantuar të drejtën e ankimit.

Ndër rekomandimet e tjera përfshihen lejimi i komunikimit me mediat, përmirësimi i kushteve në qeli, rikthimi i kontakteve të kufizuara dhe ndalimi i praktikave që kufizojnë të drejtat përmes urdhrave verbalë jashtë kuadrit ligjor.

Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej tetorit 2024 dhe përballet me akuza për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, në kuadër të disa çështjeve, përfshirë atë të CEZ-DIA dhe kontrata lobuese në SHBA. Çështja ndaj tij dhe Monika Kryemadhi tashmë është në fazën e gjykimit në themel.

Të fundit