Flash News

E-TJERA

Kujdes nga mesazhet! Arrestohen dy kinezë, mashtronin shqiptarët me faqe false të Postës Shqiptare

Kujdes nga mesazhet! Arrestohen dy kinezë, mashtronin shqiptarët me

Policia e Shtetit ka goditur një grup të huaj që mashtronte qytetarët shqiptarë përmes faqeve të falsifikuara të Postës Shqiptare. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Posta e Rreme”, janë vënë në pranga dy shtetas kinezë, të identifikuar me inicialet C. F., 51 vjeç, dhe H. Y., 45 vjeç.

Sipas njoftimit zyrtar, Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik, në bashkëpunim me Drejtorinë Operacionale të Policisë së Shtetit dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, ka ndërhyrë pas ankesave të qytetarëve që kishin marrë SMS mashtruese, të cilat imitonin faqen zyrtare të Postës Shqiptare me qëllim vjedhjen e të dhënave personale dhe bankare.

Si vepronin autorët

Hetimet kanë zbuluar se shtetasit e huaj kishin hyrë në territorin e Shqipërisë më 27 tetor 2025 dhe kishin ngritur një faqe interneti identike me atë të Postës Shqiptare. Përmes kësaj faqeje, ata kërkonin nga qytetarët të vendosnin të dhëna personale, numra kartash bankare dhe fjalëkalime.

Gjatë kontrollit në ambientet ku qëndronin autorët, policia ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme provash materiale: 17 telefona, 1 laptop, 12 pasaporta, 11 karta bankare, 7 karta identiteti, 1 patentë dhe shuma parash në valuta të ndryshme.

Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm ndaj çdo mesazhi apo faqeje që kërkon të dhëna personale apo bankare. Qytetarët këshillohen: të mos klikojnë në linke të dyshimta; të mos japin kurrë të dhëna bankare apo PIN në faqe të paautorizuara; të verifikojnë gjithmonë adresën zyrtare përpara çdo veprimi online.

Në rast dyshimi, qytetarët mund të raportojnë pranë Policisë së Shtetit ose Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik.

Policia u bën apel qytetarëve që kanë plotësuar të dhënat e tyre personale në faqet e falsifikuara, të paraqiten menjëherë pranë Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik në Tiranë ose të kontaktojnë autoritetet për të marrë ndihmën e nevojshme.

 

Të fundit