Flash News

E-TJERA

Kume: Po keqpërdoret vota e emigrantëve; Krasniqi: Në lista po përfshihen të inkriminuar që tentojnë të blejnë mediat

Kume: Po keqpërdoret vota e emigrantëve; Krasniqi: Në lista po
Kristaq Kume, Afrim Krasniqi

Ish-kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume i ka cilësuar zgjedhjet e 25 prillit një test të rëndësishëm për demokracinë. Ai shpreson se disa fenomene që kanë ndodhur në të shkuarën dhe që cënonin standardin e zgjedhjeve nuk do të shfaqen këtë herë si rezultat i Reformës Zgjedhore.

"Të gjithë duhet të angazhohemi për të mbrojtur demokracinë në vendin tonë. Pres që një pjesë e mirë e fenomeneve që atakonin standardet e zgjedhjeve, nuk do të shfaqen, si rezultat i ndryshimit ligjor të realizuar dhe angazhimit tonë të përbashkët.

Lidhur me problemet që do shkaktojë pandemia, duhet parë me shumë seriozitet, sa i takon marrjes së masave për të garantuar pjesëmarrjen sa më të lartë të zgjedhësve në proces", tha Kume gjatë takimit që po zhvillon Presidenti Meta me shoqërinë civile.

Ky i fundit tha se po keqpërdoret mundësia e votës së emigrantëve.

"Shoh mundësinë e një keqpërdorimi të votës së emigrantëve. Fakti që nuk është realizuar kjo e drejtë, kjo nuk flet për mirë", theksoi ai.

Ndërkohë drejtori i Insitutit të Studimeve Politike Afrim Krasniqi tha se po përfshihen në lista persona me të shkruar kriminale. Ai thotë se këta individë po përpiqen të blejnë median.

"Vazhdon praktika e përfshirjes së individëve të fortë dhe me rekorde kriminale në listat e zgjedhësve. Kjo është e papranueshme dhe shkon në të kundërt me thirrjen edhe të partnerëve ndërkombëtarë. Shohim përpjekje edhe të këtyre individëve për të blerë media, si dhe për hapjen e shumë portaleve të dyshimta dhe jashtë çdo monitorimi", shtoi Krasniqi.

Të fundit