Flash News

E-TJERA

Kurban Bajrami, Kreu i KMSH mesazh besimtarëve myslimanë: Është festë e pajtimit, falni e pajtohuni me njëri-tjetrin

Kurban Bajrami, Kreu i KMSH mesazh besimtarëve myslimanë:

Kreu i Komunitet Myslim të Shqipërisë, Bujar Spahiu iu është drejtuar me një mesazh besimtarëve myslimanë për festën e Kurban Bajramit, e cila do të kremtohet nesër.

Përmes një videomesazh, kreu i KMSH-së thekson se Kurban Bajrami është një festë e rëndësishme në fenë islame. Ai iu bën thirrje besimtarëve mysliman që të therrin nesër Kurban, kushdo që ka mundësi, dhe ta ndajnë atë me njerëzit në nevojë.

Sipas Spahiut Kurbani është është mesazh paqe, gëzim për fëmijët, solidaritet dhe pajtim, ndërsa apeloi për falje dhe pajtim me njëri-tjetrin.

Mesazhi i plotë:

Të dashur qytetarë, nesër, më datë 20 korrik 2021, është festa e Kurban Bajramit.

Allahu i Madhërishëm në suren Kevther në Kuran thotë: “Ne vërtet të dhamë ty shumë të mira. Andaj ti falu dhe ther kurban për hir të Zotit tënd!”

Ndërsa në suren En’nam na kujton: “Thuaj: namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për Allahun, Zotin e botëve!”

Të dashur besimtarë, edhe pak orë na ndajnë nga festa.

Kurban Bajrami është një festë e rëndësishme në fenë islame. Në këtë ditë ne përkujtojmë sakrificën e Ibrahimit (a.s), durimin e pa shembullt të Ismailit (a.s.), atëkohë vetëm një fëmijë, dhe dhembshurinë e nënës heroike Haxhires. Kurbani na dëshmon se, sakrifica, durimi dhe dhembshuria njerëzore, janë punë të pëlqyeshme te Zoti, nëse duam të përfitojmë mëshirën dhe faljen e të Gjithëmëshirshmit absolut, Zotit të gjithësisë.

“As gjaku e as mishi i kurbaneve tuaja nuk arrin tek Allahu, por tek Ai arrin devotshmëria juaj”, thotë Zoti (xh.sh.) në Kuranin Famëlartë.

Ky Bajram na jep mesazhin që, për të arritur pëlqimin dhe kënaqësinë e Zotit të Madhërishëm, është i nevojshëm sinqeriteti dhe devotshmëria.

Therni Kurbanin nesër, kushdo që ka mundësi, dhe ndajeni atë me njerëzit në nevojë. Kjo vërtetë është një punë e pëlqyeshme të Zoti.

Kurbani është mesazh paqe, përhapeni atë.
Kurbani është gëzim për fëmijët, gëzojini ata me dhurata.
Kurbani është solidaritet, jini solidarë në bajram e në çdo ditë.
Kurbani është pajtim, pajtohuni dhe faleni njëri-tjetrin.

E lusim Zotin të na i pranojë kurbanet, adhurimin dhe lutjet tona.
E lusim Zotin për paqe e prosperitet në vendit tonë dhe mbarë njerëzimin.

Ju dëshiroj paqe, begati e mirësi në familjet tuaja!

Të fundit