Flash News

E-TJERA

Kush ishte Rexhep Qosja, zëri i fortë i debatit intelektual në Shqipëri dhe Kosovë

Kush ishte Rexhep Qosja, zëri i fortë i debatit intelektual në

Akademiku Rexhep Qosja është ndarë nga jeta sot, duke lënë pas një trashëgimi të gjerë intelektuale dhe një ndikim të thellë në studimet albanologjike, letërsinë dhe debatet publike mbi identitetin shqiptar.

Qosja konsiderohet si një nga figurat më të rëndësishme të mendimit kritik në hapësirën shqiptare, me një karrierë të gjatë si studiues, shkrimtar dhe akademik.

Ai ka qenë një zë i fortë në debatet për kulturën, historinë dhe politikën shqiptare, shpesh duke sjellë qëndrime që kanë ngjallur diskutime të gjera në opinionin publik.

Një intelektual i debatit dhe polemikës
Gjatë dekadave, Qosja është njohur për stilin e tij të drejtpërdrejtë dhe kritik ndaj zhvillimeve politike në Shqipëri dhe Kosovë. Ai ka qenë shpesh i përfshirë në debate publike me figura të tjera intelektuale dhe politike, duke mbrojtur me këmbëngulje pikëpamjet e tij mbi identitetin kombëtar dhe rrugën historike të shqiptarëve.

Një nga përplasjet më të bujshme ka qenë ajo me shkrimtarin Ismail Kadare, ku të dy kanë shkëmbyer qëndrime të kundërta mbi identitetin kombëtar, historinë dhe rolin e elitave intelektuale në shoqërinë shqiptare, debat që u pasqyrua gjerësisht në media dhe në botën akademike.

Qëndrimet më të njohura  
Ndër deklaratat dhe qëndrimet e tij më të diskutuara përfshihen kritikat ndaj elitave politike shqiptare, të cilat ai i ka akuzuar shpesh për mungesë vizioni dhe përgjegjësie historike.

Qosja ka mbajtur gjithashtu qëndrime të forta në raport me zhvillimet politike në Kosovë dhe Shqipëri, duke kritikuar shpesh klasën politike pasluftës në Kosovë, përfshirë edhe qeveritë e dala nga ish-ushtria Çlirimtare e Kosovës, të cilat i ka akuzuar për mungesë vizioni shtetformues dhe devijim nga interesat kombëtare.

Ai ka qenë gjithashtu kritik ndaj disa marrëveshjeve politike të nënshkruara në dialogun Kosovë–Serbi, të cilat i ka cilësuar si të dëmshme për sovranitetin e vendit.

Në planin intelektual dhe politik, Qosja ka mbrojtur vazhdimisht idenë e një identiteti të fortë kombëtar shqiptar dhe ka kundërshtuar qasje që, sipas tij, relativizojnë historinë dhe unitetin kulturor të shqiptarëve.

Ai ka qenë një zë i vazhdueshëm në debatin mbi orientimin historik të shqiptarëve dhe raportin e tyre me Perëndimin, duke theksuar nevojën për vetëdije kombëtare dhe ruajtje të trashëgimisë historike.

Trashëgimia akademike
Përveç polemikave publike, Qosja ka lënë pas një vepër të gjerë studimore në fushën e letërsisë dhe kritikës letrare, duke kontribuar në zhvillimin e albanologjisë moderne. Ai konsiderohet një nga autorët më me ndikim në analizën e letërsisë shqipe dhe identitetit kulturor.

Nga më të njohurat janë romani “Vdekja më vjen prej syve të tillë” (1974), “Një dashuri dhe shtatë faje” (2003), “Nata është dita jonë” (2007), “Bijtë e askujt” (2010) dhe Të fshehtat e treguara (2020).

Përveç në Prishtinë romani “Vdekja më vjen prej syve të tillë” është botuar në vitin 1987 edhe në Tiranë, me inisiativë të shkrimtarit Ismail Kadare, e po ashtu nën ndihmën e tij ai u përkthye edhe në Francë.

Qendra e mendimit të Qosjes është se identiteti mbarëshqiptar në ngërthen elemente të të dy qytetërimeve, si atij perëndimor, si atij lindor, duke e kthyer këtë një nga debatet më të forta të jetës së tij akademike.

Të fundit