Flash News

E-TJERA

'Kushtetuesja' shqyrton padinë e Metës për TK, presidenca kërkon 20 prova shtesë dhe thirrjen e dëshmitarëve

'Kushtetuesja' shqyrton padinë e Metës për TK,

Gjykata Kushtetuese po shqyrton sot padinë e Presidentit Ilir Meta për Teatrin Kombëtar. Kallëzimi u depozitua nga Kreu i Shtetit në vitin 2019. Meta kërkonte shfuqizimin e kalimit të truallit në pronësi të Bashkisë Tiranë si dhe ligjin për ndërtimin e teatrit të ri.

Relatorja e seancës është Fiona Papajorgji. Gjatë seancës, përfaqësuesi ligjor i Presidentit Meta, Dervishaj kërkoi të merren 20 prova shtesë për hetimin e kësaj çështjeje.

Sipas Dervishajt, nëse nuk merren provat dhe dëshmitarët, hetimi është i paplotë. Ai ka bërë me dije se presidenca ka kërkuar prej dy vitesh dokumenta nga institucionet, të cilat shton Dervishaj u janë vënë në dispozicion një ditë më parë. Ai ka kërkuar kohë për t'i studiuar materialet.

“Vetëm dje Këshilli i Ministrave na ka vënë në dispozicion dokumente. Kemi dy vjet që kërkojmë prova nga institucionet, dhe ende nuk i kemi marrë dot të plota në Presidencë. Ne duam të njihemi dhe t’i studiojmë materialet që kanë ardhur dje. 24 orë nuk na mjaftojnë për të hyrë në themel. Nuk mund të shprehemi në këtë seancë”, ka thënë Dervishaj.

Provat shtesë që kërkohen nga presidenca:

· Kopje të shitblerjes së pronës truall nga Francesko Jakomoni dhe trashëgimtareve të familjes Libohova ku u ndërtua Teatri Kombëtar.

· Kopje të lejes së ndërtimit nga Mbreti Zog për ndërtimin e teatrit.

· Kopje e projektit të arkitektit për ndërtimin e teatrit.

· Akte që vërtetojnë ndryshimin e qëllimit të përdorimit të godinës.

· Kopjen e praktikës së shpalljes së Ansamblit të Teatrit monument kulture.

· Hartat e përdorura për shpalljen e kësaj zone të trashëgimisë historike.

· Kopje të diskutimeve shkencore të Monumenteve të Kulturës 2004-2007 që ka vlerësuar monumentet historike në qendrën e Tiranës.

· Listën e plotë të ndërtesave të përfshira në qendrën historike.

· Kopje të praktikës institucionale ku pasqyrohet identifikimi i nevojës për miratimin e ligjit special për Teatrin.

· Konsultimet para dhe pas hartimit të këtij ligji të posaçëm.

· Mendimet e të gjitha institucioneve të përfshira gjatë konsultimit.

· Diskutimet në këshillin e ministrave për këtë çështje.

· Kopje të akteve se si Bashkia Tiranë ka ndërprerë negociatat për godinën.

· Procesverbalet e komisionit të posaçëm nëse ai ka zhvilluar negociata me kompani të interesuara për të ndërtuar teatrin e ri dhe kostot financiare të secilës ofertë.

· Kostot e gjetjes dhe përballimit të konsulencës.

· Si u arrit në përfundimin që shteti arriti në përfundimin për ta ndërtuar vetë, me para publike, dhe jo me koncesion.

· Si u kalua trualli nga Ministria e Kulturës në pronësi të Bashkisë Tiranë? Duam praktikën e kësaj procedure.

· Kopje të akteve të nxjerra para gjatë dhe pas shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar.

· Veprimet e Kryetarit të Bashkisë Tiranë pas kërkesës së KLSH-së për të pezulluar veprimet me teatrin deri në shprehjen e gjykatës.

· KLSH i ka kërkuar Institutit të Monumenteve të Kulturës të detyrojë bashkinë ta ndërtojë teatrin, aty ku ishte, me të njëjtën arkitekturë.

Të fundit