Flash News

E-TJERA

"Lamtumirë xhaxhi Ismail!", vajza e Dritero Agollit: Kadare do të mbetet më i gjallë ndër të gjallët

"Lamtumirë xhaxhi Ismail!", vajza e Dritero Agollit: Kadare do

Vajza e shkrimtarit Dritëro Agollit, Elona Agolli ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, disa orë pas mbajtjes së homazheve në nder të shkrimtarit të madh, Ismail Kadare. 

Ajo shkruan se  Kadare do të mbetet më i gjallë ndër të gjallët dhe më i ndriçuar ndër të ndriçuarit .

“Ndoshta do të kishin dashur të prisnin ndryshe të fundmen ditë …njëlloj ashtu siç i madhi Niko Kazanxaqis admironte vdekjen në këmbë, të njëjtë me ushtarët e Pompeut . Apo si ai që përfshihej nga llava e vdiste në këmbë si statujë.

Edhe atë ditë që babi nuk më lëshonte duart nga flokët duke i tërhequr si litarë, atë ditë në spitalin me muret gri dhe frymën e kobshme të vdekjes, ai këtë gjë donte të më thonte. Jam e bindur që edhe ai, miku i hershëm dhe i gjithjetshëm i babait tim, ashtu do ta dëshironte.

E sido që të jetë, Ismail Kadare që sot do të prehet në banesën e fundme , me kurmin në tokë , por shpirtin afër qiellit , ashtu siç përherë të mëdhenjtë shkrimtarë e kanë , në jetën tokësore por edhe në atë në amshim , brez pas brezi e shekull pas shekulli , do të mbetet më i gjallë ndër të gjallët , më i ndriçuar ndër të ndriçuarit .

Lamtumirë i adhuruari shkrimtar ! Lamtumirë , për mua , xhaxhi Ismail!”, shkruan Agolli.

 

 

Të fundit