Flash News

E-TJERA

Largimi masiv i të rinjve, sa i kushton Shqipërisë një emigrant

Largimi masiv i të rinjve, sa i kushton Shqipërisë një

Ikja e të rinjve nga Shqipëria, po bëhet një plagë gjithnjë e më e pashërueshme për vendin. Më shumë se gjysma e shqiptarëve të moshës 18-40 vjeç, janë larguar dhe po largohen ende nga Shqipëria.

Në emisionin “Money” në Euronews Albania, Elona Dhëmbo, studiuese e çështjeve të migrimit, ka thënë se në disa qarqe priret të ketë një emigrim familjar, çka ul akoma më shumë mundësitë që ata të kthehen sërish në Shqipëri.

“Ka qarqe ku është më tipike lëvizja e gjithë familjes, për shembull në Tiranë dhe Shkodër lëvizet me gjithë familjen, gjë që tregon se gjasat për tu rikthyer janë më ulëta se sa kur largohet 1 apo disa anëtarë të familjes, ku mund të ketë më tepër gjasë që anëtari të rikthehet,” u shpreh Elona Dhëmbo, studiuese.

“Ajo çka mund të thuhet me siguri është fakti se ka një lëvizje drejt Gjermanisë, Greqisë, Italisë, Anglisë, por edhe drejt Kosovës, e cila ofron kushte me te mira financiare se Shqipëria,” sqaroi Denisa Canameti nga programi i shëndetësisë në shoqatën “Together for life”.

Shoqëria investon për individin dhe ky i fundit kontribuon për shtetin, në aspektin social dhe atë ekonomik. Një punonjës i cili ka mbaruar shkollën e mesme i kushton shoqërisë 15 mijë euro, ndërsa një person me arsim të lartë i kushton deri në 25 mijë euro.

Në kushtet e një emigrimi masiv të viteve të fundit, Shqipëria humbet nga kapitali njerëzor 500 deri në 800 mln euro në vit.

“Vitet e fundit, ajo që më bën përshtypje është largimi i të rinjve dhe kjo është një problematikë e madhe që do na rëndojë shumë në të ardhmen. Jemi në momentin që nuk e ndjejmë ende sepse të rinj ka plot, megjithëse mosha mesatare ka shkuar 35 vjeç. Mendoj që mbarë politika nuk po ngjall shpresë që këta të rinj të gjejnë një hapësirë për të krijuar jetën e tyre në Shqipëri,” sqaroi ekspertja e statistikave, Ines Nurja.

Të fundit