E-TJERA

Linja e re e integrimit zbeh shanset e Shqipërisë

Linja e re e integrimit zbeh shanset e Shqipërisë

Komisioni Europian sapo ka miratuar Paketën e tij të Zgjerimit të BE-së 2020. Në themel të saj janë kushte specifike për secilin shtet, të shoqëruara edhe me një paketë te re financimi që do të jetë 9 miliardë euro për periudhën 2021-2027. Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare analizoi se, duke qenë se procesi i integrimit do të jetë individual për secilin shtet, Shqipëria paraqitet më dobët se vendet te tjera të Rajonit si Serbia, Mali i zi dhe Maqedonia e Vriut. 

Sfidat e Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor për t’u integruar në Bashkimin Europian mbeten të njëjtat si para dy dekadave në aspektin e prosperitetit ekonomik dhe afrimin me standardet e Unionit. Por, e ardhmja është vështirësuar për shkak të emigrimit masiv të njerëzve të arsimuar nga rajoni dhe së fundmi, pandemisë Covid-19, teksa Bashkimi Europian ka miratuar një standarde të reja për integrimin sipas të cilave, nuk do të ketë më anëtarësim në bllok siç ka ndodhur më parë, por pranim sipas mertitokracisë se secilit vend.

Për këto arsye, integrimi po bëhet edhe më i vështirë, sipas një studimi që publikoi së fundmi Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare dhe fondacioni gjerman Bertelsmann Stiftung.

Zhvillimet politike dhe ekonomike në Europë dhe rajon sugjerojnë se Maqedonia dhe Serbia do të kenë integrim më të shpejtë se sa Shqipëria, Kosova dhe Bosnja, analizojnë ekspertët e Vjenës. Sipas tyre, Europa duhet të qartësojë strategjinë e integrimit për Ballkanin, fillimisht duke i bërë shtetet më të fuqishme ekonomikisht, sidomos në drejtim të lidhjeve infrastrukturore me BE-në.

Ekspertët, në një analizë të hollësishme, pohojnë se ka dështuar integrimi ekonomik ndër-rajonal që do të shtronte rrugën për anëtarësim në BE dhe propozon që BE duhet të fuqizojë lidhjet ekonomike me Rajonin. Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e jashtme, Gent Cakaj tha se sipas rregullave reja perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor varet nga dinamika e plotësimit të kushteve të nevojshme për tu bërë anëtar i BE-së.

BE publikon kursin e ri të integrimit, në themel reformat

Komisioni Europian sapo ka miratuar Paketën e tij të Zgjerimit të BE-së 2020. Kjo është Paketa e parë që kur metodologjia e re për pranimin në BE u prezantua në Shkurt të këtij viti. Kushtëzimet shtesë që u prezantuan me metodologjinë e re, të cilat supozohet të sigurojnë që vendet e pranimit t’i përmbahen reformave, tani shoqërohen me më shumë ndihmë ekonomike për vendet.

Në mënyrë të veçantë, Komisioni miratoi një Plan Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor, i cili përcakton të sigurojë deri në 9 miliardë euro të fondeve të BE-së për investime në lidhje të qëndrueshme, energji të pastër, mjedis, dixhitalizim, kapital njerëzor dhe konkurrencë.

Raporti shtjellon se çfarë lloj reformash nevojiten në secilin prej vendeve, duke siguruar “rekomandime dhe udhëzime më të qarta dhe më të sakta për hapat e ardhshëm”. Në përgjithësi, fushat në të cilat të gjitha vendet janë më pak të performuara janë sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit.

Axhenda e re e integrimit thotë se, nevojitet integrim më i thellë ekonomik i Ballkanit Perëndimor me BE. Në studim i fundit nga Bertelsmann Stiftung dhe Institutit të Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare ka vlerësuar se duhen më shumë përpjekje nga  BE-së për të rritur bashkëpunimin ekonomik rajonal në Ballkanin Perëndimor.

Në këtë këndvështrim Paketa e re e Zgjerimit ofron ndihmë ekonomike për vendet e pranimit, pasi kjo do të nxisë konvergjencën e tyre ekonomike në BE. Mirëpo plani i mbështetjes ekonomike është sërish i pamjaftueshëm pasi 9 miliardë euro të deklaruara, për periudhën shtatë-vjeçare 2021-2027 do të ishin vetëm 1% e PBB-së së vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kjo shumë është vetëm pak më e lartë se IPA I dhe IPA II. Buxheti i IPA I për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor arriti në 5.3 miliardë €, ndërsa IPA II në 6.9 miliardë euro. Për më tepër, shuma reale mund të rezultojë edhe më e vogël, pasi do ti nënshtrohet miratimit të Kuadrit Financiar Shumëvjeçar 2021-2027, shpjegon eksperti i Vjenës, Branimir Janovic.

Për më tepër, shuma e disbursuar përfundimisht ka të ngjarë të jetë edhe më e vogël, pasi përdorimi i fondeve IPA në këto vende nuk është kurrë 100%. Për Shqipërinë në veçanti përdorimin i fondeve të IPA është shumë i dobët në raport me Rajonin.

Janoviç thotë se, metodologjia e re ka të ngjarë të ndërlikojë procesin e pranimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe mund ta ngadalësojë atë. Edhe pse Komisioni deklaron se zbatimi i “vlerësimeve rigoroze, por të drejta” do të përshpejtojë përparimin në rrugën e BE-së, metodologjia e re në fakt mund të zgjasë pranimin në BE, nëse disa reforma vlerësohen si të pamjaftueshme.

Kjo mund të shkaktojë reagime në skepticizmin e BE-së, mosgatishmërinë për të kryer reforma dhe nacionalizmin, të cilat do të dëmtojnë bashkëpunimin rajonal dhe do të pengojnë perspektivat afatgjata ekonomike dhe sociale të rajonit.

Studimi i Institutit të Vjenës ka theksuar domosdoshmërinë e kushtëzimit të rreptë në lidhje me qeverisjen dhe shtetin e së drejtës. Por këto kërkesa duhet të shoqërohen me integrim më të thellë ekonomik të Ballkanit Perëndimor në BE, siç është përfshirja e plotë në buxhetin e BE-së.

Aksesi i plotë në buxhetin e BE do t’u sigurojë vendeve të Ballkanit Perëndimor fonde vjetore prej 2-5% të GNI-së së tyre, ndërsa ndikimi në kontribuuesit neto në buxhetin e BE do të ishte i papërfillshëm, duke filluar nga 0.009% e GNI 2017 në Irlandë në 0.04% në Gjermani. Opsione të tjera për t’u marrë parasysh janë hyrja e pjesshme në pjesë të tjera të Bashkimit Doganor të BE-së dhe tregu i vetëm dhe më thellë

Dy dekada të humbura

Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, pa përjashtim, kanë regjistruar normat më të këqija të konvergjencës ekonomike me Gjermaninë në 20 vitet shkuara, edhe në raport me vendet e tjera të Europës Qendrore dhe Lindore. Gjatë periudhës 2000 – 2018, Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë i Shqipërisë arriti sa 25% e PBB për frymë në Gjermani. Nivel më të ulët se Shqipëria ka vetëm Kosova, kurse Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi i kanë të ardhurat afërsisht sa 30% e mesatares së Gjermanisë.

Në vitin 2000, pjesa më e madhe vendeve të Ballkanit ishin shumë të varfra, madje edhe më shumë se Rumania dhe Bullgaria. Vendet e varfra zakonisht kanë potenciale për t’u rritur më shpejt se vendet e pasura dhe në këtë mënyrë, koha për të kapur standardet e BE-së do të ishte më e shkurtër, si rasti i ish-republikave Baltike.

Ecuria e dobët ekonomike bashkë me emigrimin masiv të njerëzve kanë kontribuar negativisht në të gjitha arritjet, si në aspektin e mirëqenies edhe në perspektivën e integrimit në Ballkan. Midis vitit 2000 dhe 2019, popullatat e Serbisë, Bosnjë – Hercegovinës dhe Shqipërisë u ulën nga 7 në më shumë se 10%. Gati gjysma e boshnjakëve tashmë jetojnë jashtë vendit dhe gati 40% e shqiptarëve.

Deri në vitin 2050, popullsia në moshë pune në Ballkanin Perëndimor do të ulet në mënyrë drastike. Emigrimi, ndër të tjera, po tregon mungesën e shpresës, por vret perspektivën ekonomike të vendeve dhe bën më të vështirë procesin integrues.

Zona e përbashkët ekonomike në Ballkan ka dështuar

Pas dy dekadash, tashmë është e qartë se shpresat e BE-së për të nxitur pajtimin politik nëpërmjet integrimit ekonomik në Ballkanin Perëndimor nuk janë përmbushur. Kjo nuk është për t’u habitur pasi shumë nga parakushtet kryesore për bashkëpunim efektiv rajonal nuk kanë ekzistuar kurrë në Ballkanin Perëndimor.

Integrimi ekonomik rajonal ka përparuar në Ballkanin Perëndimor në 20 vitet e fundit, por jo në të njëjtën mënyrë për të gjitha vendet. Më e rëndësishmja, Serbia, lojtari kryesor në rajon është integruar më pak ekonomikisht me pjesën tjetër.

Përmirësimi i bashkëpunimit ekonomik ka pasur pak ndikim në mosmarrëveshjet territoriale në Ballkanin Perëndimor. Për sa i përket PBB-së për frymë në krahasim me Gjermaninë, gjatë 20 viteve të fundit Ballkani Perëndimor nuk ka përparuar. Emigrimi në shkallë të gjerë tregon mungesë shprese.

Ekspertët e Vjenës rekomandojnë se integrimi i mëtejshëm ekonomik rajonal nuk ka gjasa që të çojë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve kushtetuese dhe territoriale në rajon dhe as nuk do të rrisë ndjeshëm nivelet e zhvillimit. Nxitja e mundshme e rritjes ekonomike nëpërmjet rritjes së integrimit ekonomik midis gjashtë vendeve të vogla dhe mjaft të varfra është thellësisht e ulët.

Ekspertët europianë arrijnë në konkluzionin se forcimi i bashkëpunimit ekonomik me BE-në përpara anëtarësimit të plotë është rruga më shpresëdhënëse.

Për më tepër, shembulli i vendeve të Vishegradit tregon se integrimi më i thellë në BE mund të nxisë lidhje më të thella rajonale.

A është ende i mundur pranimi në BE

Procesi i pranimit në BE po zvarritet për rajonin, hapat janë shumë të ngadaltë. Madje për Serbinë dhe Malin e Zi, të cilat i filluan negociatat e pranimit disa vite më parë, anëtarësimi është ende shumë vite larg.

Në rastin më të mirë, ata do t’i bashkohen BE-së dy dekada pas Rumanisë dhe Bullgarisë, por zhvillimet e fundit diktojnë se do të jetë shumë më gjatë se kaq. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, të paktën tani janë në gjendje të nisin bisedimet e pranimit, të cilat hasën në vështirësi për shkak të kundërshtive të Francës.

Presidenti Emmanuel Macron parapëlqen reformimin e BE përpara se të pranohen anëtarë të rinj. Në vitin 2019, Franca publikoi një dokument që parashtroi kërkesën e saj për një reformë të re të procesit të zgjerimit. Idesë iu bashkuan Holanda dhe Danimarka, të cilat gjithashtu janë skeptike, sidomos me pranimin e Shqipërisë. Por, duket se po rritet kundërshtimi ndaj zgjerimit në të gjithë Europën Perëndimore. Përvoja e pranimit të Bullgarisë në vitin 2007, i bëri skeptike vendet e Perëndimit, të cilat ndien se duhet të kishin bërë më shumë në procesin e paraanëtarësimit, për të forcuar sundimin e ligjit në vend.

Trembëdhjetë vjet pas anëtarësimit, Bullgaria dhe Rumania janë ende nën kushte speciale monitorimi në fushat e korrupsionit, gjyqësorit dhe reformat kundër krimit të organizuar.

Dy sondazhe tregojnë angazhim të lëkundur ndaj zgjerimit ndërmjet qytetarëve të BE. Vetëm 22% e francezëve dhe 26% e gjermanëve mendojnë se vendet e Ballkanit, që kanë nisur më herët negociatat, si Serbia dhe Mali i Zi, duhet të pranohen në dekadën e ardhshme, pavarësisht se data e synuar e Komisionit është për vitin 2025. Ndryshimi i sfondit politik në BE dhe Brexit kanë dhënë ndikim mbi procesin e integrimit.

Në mars 2020, Këshilli Europian ra dakord për të filluar bisedimet e pranimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Megjithatë është përcaktuar që para se të nisin bisedimet, në realitet Shqipëria duhet të bëjë progres në një numër fushash, përfshirë reformën zgjedhore, atë në drejtësi dhe luftën kundër krimit të organizuar.

Këshilli gjithashtu miratoi fillimin e negociatave me një metodologji të re, ku u përfshinë kërkesat e Francës. Samiti i Zagrebit, që kishte për qëllim perspektivën e re të integrimit, rastisi me krizën e pandemisë, e cila duket se shërbeu për një unitet më të madh ndërmjet BE-së dhe Rajonit të Ballkanit.

Deklarata e përbashkët theksoi se “shkalla e krizës së koronavirusit kërkon unitetin dhe solidaritetin tonë. Bashkimi Europian qëndron përkrah partnerëve të tij të Ballkanit Perëndimor dhe mbetet i angazhuar për të mbështetur aktivisht përpjekjet e tyre në luftën ndaj pandemisë së koronavirusit dhe pasojave të saj mbi shoqëritë dhe ekonomitë. BE-ja dhe Ballkani Perëndimor po luftojnë së bashku koronavirusin dhe pasojat e tij. BE-ja mobilizoi me shpejtësi të madhe një paketë prej 3,3 miliardë eurosh në ndihmë të Ballkanit Perëndimor”.

Në terma konkretë, deklarata e udhëheqësve të BE-së nuk tha asnjë gjë për zgjerimin, por foli vetëm për perspektivën.

Covid-19 çon pas procesin

Reformat që vendet duhet të kryejnë për të arritur anëtarësimin në BE ndeshin në pengesa rajonale. Së pari, tensionet në linjat tradicionale të konfliktit (Serbi-Kosovë dhe brenda Bosnjës) janë ende të larta përderisa nuk janë ndarë kufijtë dhe pretendohet për shkëmbim territoresh.

Përveç të tjerash, tashmë Europa, Ballkani dhe e gjithë bota po përballen me pandeminë Covid-19 dhe ndikimi, që do të ketë në rajon, në aspektin ekonomik, social dhe në termat politikë, do të jetë i fortë. Në vitin 2020, pothuajse të gjitha vendet e BE-së dhe rajonit do të përjetojnë një rënie të fortë ekonomike për shkak të pandemisë.

Kapacitetet e dobëta të kujdesit shëndetësor, rënia e remitancave, investimeve dhe e vizitorëve të huaj e bëjnë më agresive ndikimin e pandemisë për vendet e Ballkanit dhe sidomos Shqipërinë, me varësi më të lartë nga këto flukse.

Për shkak të pandemisë, vendet e rajonit kanë bërë hapa pas në procesin e bashkëpunimit rajonal. Pavarësisht nga rezultatet zhgënjyese të 20 viteve të fundit, disa shtete brenda rajonit si Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë të gatshme të ripërtërijnë bashkëpunimin dhe integrimin, sidomos në drejtim të krijimit të zonës së përbashkët ekonomike rajonale, të cilën e pranoi së fundmi edhe Kosova. Ndërsa vendet e tjera kanë në politikat e tyre integrimin në BE më shumë se bashkëpunimin rajonal.

Integrim politik apo ekonomik

Edhe në rast të krijimit të zonës së përbashkët ekonomike, Ballkani përbën një ekonomi ende të vogël për interesat e Europës. PBB e Ballkanit është sa 1% e asaj të BE. Ndërsa PBB për frymë arrin nga 27-40% të mesatares së BE-së. Në një skenar normal, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim përllogarit se Ballkanit i duhen 60 vjet të arrijë standardet e BE-së me ritmet e rritjes në vitet 2014-2017. Për Shqipërinë, kjo kohë është edhe më e largët.

Por disa vende kanë zgjedhur të integrohen ekonomikisht në BE përpara procesit politik. Kjo vlen veçanërisht për Serbinë, e cila është integruar gjerësisht në tregun gjerman. Serbia gjithashtu ka nënshkruar një marrëveshje të tregtisë së lirë me disa vende Euroaziatike dhe së fundmi, ka filluar të tërheqë sasi më të mëdha të investimeve kineze dhe forma të tjera të kapitalit të huaj. Monitor

Përveç këtyre zhvillimeve, Kina dhe Rusia do ta bëjnë më të vështirë integrimin në BE, jo sepse investimet nga Kina ose Rusia janë problematike në vetvete, por sepse lloji i parave që vijnë nga këto burime janë përkundër rregullave të BE-së dhe në këtë mënyrë ndërlikojnë integrimin.

Zona e Përbashkët Ekonomike do të ketë vështirësi

Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë gati struktura të njëjta prodhimi, përveç Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, të cilat së fundmi kanë zhvilluar industrinë automative për nevoja të tregut europian dhe më gjerë. Por kur vjen puna për krijimin e një zone të përbashkët ekonomike, interesat zbehen pasi strukturat e prodhimit janë të ngjashme, dhe jo si në Europë që pas Luftës së Dytë Botërore, bashkëpunimi u shty për shkak të plotësimit të nevojave për furnizime nga një vend te tjetri.

Nevojat për furnizim me qymyr dhe çelik në BE e shtynë para bashkimin doganor. Në atë kohë, Franca donte bashkëpunim sepse industria e saj e çelikut kishte nevojë për qymyr dhe një treg për të eksportuar. Por edhe në rast se prodhimi në rajon nis e diversifikohet, integrimi rajonal bëhet i vështirë nga barrierat tarifore dhe jotarifore. Megjithëse ka pasur pak progres kohët e fundit, ekzistojnë pengesa të konsiderueshme tregtare në Ballkanin Perëndimor dhe rregulloret doganore dhe tregtare janë problem kryesor për shumë eksportues.

Studimet e Bankës Botërore për klimën e biznesit kanë parë përkeqësim të klimës tregtare, pasi disa vende i kanë vështirësuar procedurat, duke rritur kostot në tregti vitet e fundit.

Pengesat në tregtinë në Ballkanin Perëndimor për sa i përket kohës dhe kostove, janë dukshëm më të larta se për Slloveninë dhe Kroacinë që kufizohen me vendet e Ballkanit. Duke përdorur Kroacinë si pikë referimi, për tregtinë në 6 vendet e Ballkanit, më shumë se koha dhe pagesat, janë problematike rregulloret e ndërlikuara.

Pengesat tregtare në Ballkan shpesh janë më të mëdha se në vendet joanëtare të BE-së të tilla si Ukraina, Moldavia, Turqia etj. Nga ana tjetër, ekziston një diferencë e madhe brenda rajonit. Serbia është më mirë e integruar në tregjet globale, për shkak të zhvillimit të industrisë mbështetëse për automjetet, por kjo nuk vlen për Kosovën, Shqipërinë dhe Malin e Zi. Politikanët në rajon duhet të lehtësojnë kushtet tregtare dhe ta shohin këtë si mundësi për prosperitet theksojnë ekspertët e Vjenës.

Shqipëria, humbëse në tregun rajonal

Në fillim të viteve 2000, vendet në Ballkanin Perëndimor kishin dallime të theksuara jo vetëm në nivelin e zhvillimit, por edhe në aspektin e specializimit ekonomik dhe në përparësitë e zhvillimit. Ndryshe nga mendësia franceze dhe gjermane pas Luftës së Dytë Botërore, të cilat e vendosin bashkëpunim në një strategji të qartë zhvillimi dhe interesash ekonomike.

Sidoqoftë, shumica e vendeve janë specializuar gjithnjë e më shumë në fushat e tyre. Shqipëria, Kroacia dhe Mali i Zi kanë përparësi në turizëm, ndërsa Serbia dhe Maqedonia e Veriut, pa dalje në det, kanë ndjekur një rrugë zhvillimi bazuar në eksportet e prodhimit. Të dyja këto vende janë integruar në thelbin e prodhimit gjerman, megjithëse në një pjesë relativisht me vlerë të ulët të zinxhirit të prodhimit në rastin e Maqedonisë së Veriut.

Përjashtim bën Kosova, e cila ka një ekonomi jashtëzakonisht të mbyllur dhe me pak integrim ndërkombëtar, përjashto flukset hyrëse të dërgesave nga qytetarët që punojnë jashtë vendit. Çështja e vërtetë nuk është se ekonomitë kanë qenë të specializuara në mënyrë të ngjashme, ose kanë pasur domosdoshmërisht përparësi të ndryshme zhvillimore. Ndërsa ekonomitë në rajon bëhen më të integruara me njëra-tjetrën, zonat më të pasura tërheqin kapital dhe aftësi dhe zonat e varfra humbin.

Ekzistojnë disa prova që ky efekt vazhdon me kalimin e kohës, duke shkaktuar pabarazi gjithnjë e më të gjera në rajon dhe që kërkon një shkallë të lartë të koordinimit dhe ndërhyrjes së politikave për ta adresuar atë. Serbia, Bosnja, Mali i Zi do të zhvillohen më tej brenda zonës ekonomike të përbashkët teksa humbasin Shqipëria dhe Kosova. Që bashkëpunimi rajonal të funksionojë vërtet, duhet të koordinohen politikat. Sidoqoftë, për arsye politike, por edhe të tjera, koordinimi i politikave ka qenë shumë i kufizuar në Ballkanin Perëndimor në dekadat e fundit.

Politika fiskale konkurruese duhet të marrë fund dhe në vend të saj të aplikohet një politikë e njëjtë, në mënyrë që vendet të përfitojnë njësoj dhe të vënë barazi në konkurrueshmëri. Por ndërkohë, koordinimi i politikës fiskale është ende larg dhe Shqipëria, që paraqitet me barrën fiskale më të lartë në rajon në këtë kontekst, është humbëse. Vendet paralelisht me harmonizimin e politikës fiskale do të duhet të luftojnë fort informalitetin, që është një fenomen mjaft i përhapur në rajon.

Ndasitë politike kanë prodhuar mangësi në infrastrukturë

Krahasuar me pjesën më të madhe të Europës Lindore, lidhjet infrastrukturore në vendet e Ballkanit Perëndimor kanë qenë të dobëta së paku në dy shekujt e fundit. Zhvillimi i infrastrukturës pasqyron zhvillimet politike në Ballkanin Perëndimor. Në terma të infrastrukturës, si në shumëçka tjetër, shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor janë të orientuara nga jashtë sesa brenda.

Për shembull, Kroacia ka vuajtur historikisht nga lidhjet e këqija të brendshme, si një trashëgimi e Perandorisë Austro-Hungareze. Rajoni i Istrias është i lidhur me Italinë, por nuk ka qenë i lidhur me Zagrebin. Në disa raste, lidhjet midis shteteve të ndryshme të Jugosllavisë ishin rruga kryesore e transportit në rajon nëpërmjet një linje “Orient Express” të vjetër, që fillonte në Selanik, vijonte në Shkup, Beograd, Zagreb dhe Lubjanë dhe më pas në Mynih. Shumë nga këto lidhje u ndërprenë më 1991.

Opsionet e financimit për të kapërcyer këto lidhje të dobëta ishin të kufizuara në fillim të viteve 2000, pasi vendet e Ballkanit Perëndimor kishin vetëm qasje të kufizuar në fondet e BE-së në krahasim me vendet anëtare të Europës Qendrore dhe Lindore, ku financimet e BE ishin sa 5% e buxheteve kombëtare. Në vendet ish-komuniste që u bashkuan me BE-në, duke nisur nga viti 2004, fondet e BE-së kanë financuar shumicën e shpenzimeve të infrastrukturës publike.

Tashmë funksionon Observatori i Transportit (SEETO) dhe Komuniteti i Energjisë, së bashku me zonën e përbashkët të Aviacionit Civil, kanë nxitur projekte të përbashkët në infrastrukturën e Ballkanit. SEETO, Observatori i Transportit ka për qëllim që të përfshijë infrastrukturën e brendshme të Ballkanit në Rrjetin kryesor Europian (TEN-T). Për të sigurinë e rrjetit të energjisë, i krijuar më 2006, Komuniteti i Energjisë për Europën Juglindore, i cili ka nxitur investime në linjat e interkoneksionit.

Objektivi i tij kryesor është të koordinojë zbatimin dhe monitorimin e adaptimit të standardeve të BE-së në tregun ballkanik të energjisë elektrike. Projekte të ndryshme të bashkëpunimit në infrastrukturë u nisën në fillim të viteve 2000, sidomos në drejtim të bashkëpunimit ndërkufitar. Grantet e alokuara për rajonin arritën në rreth 3.8 miliardë euro në periudhën 2007–2013 dhe 4.2 miliardë euro në periudhën 2014-2020.

Vendet në përgjithësi morën ekuivalentin e 0.5 deri në 1% të PBB-së në vit, ose pak më shumë në rastin e Kosovës (1.3 deri në 2%). Gati një e katërta e këtyre fondeve janë dhënë për projekte të infrastrukturës. Në përgjithësi, kjo shumë është dukshëm më e ulët se ajo që u dha për shtete si Rumania dhe Bullgaria. Monitor 


 

Ditari politik

Të fundit