Flash News

E-TJERA

Liverpool nderon Diogo Jota-n në ndeshjen e parë pas vdekjes së tij

Liverpool nderon Diogo Jota-n në ndeshjen e parë pas vdekjes së

Lojtarët, stafi dhe tifozët e Liverpoolit dhe Preston North Endit i bënë homazhe Diogo Jotës gjatë ndeshjes miqësore para-sezonale të së dielës, pas ndarjes tragjike nga jeta të sulmuesit portugez më 3 korrik.

Kjo ishte ndeshja e parë e Liverpoolit që nga aksidenti fatal pranë Zamoras, në Spanjë, ku Jota, 28 vjeç, dhe vëllai i tij André Silva, 25 vjeç, humbën jetën.

Në një pasdite të mbushur me emocione, kapiteni i Prestonit, Ben Whiteman, vendosi një kurorë lulesh përpara tifozëve të Liverpoolit, ndërsa u këndua “You’ll Never Walk Alone” para fillimit të takimit.

Të dyja skuadrat dolën në fushë me shirita të zinj në krah dhe u mbajt një minutë heshtje prekëse në nder të vëllezërve të ndjerë.

Preston gjithashtu publikoi një program të veçantë për ndeshjen, duke vlerësuar rëndësinë e saj, ndërsa Liverpooli nderoi Jotën duke tërhequr fanellën me numrin 20.

Disa prej lojtarëve kryesorë të Liverpoolit, si Virgil van Dijk dhe Andy Robertson, të cilët morën pjesë në ceremoninë mortore të Jotës në Portugali javën e kaluar, munguan në listën e skuadrës ndërsa vijojnë përgatitjet për sezonin e ri.

Ata ndoqën ndeshjen nga tribunat e stadiumit “Deepdale”.

Mohamed Salah ishte kapiteni i ekipit, ndërsa portieri i ri Giorgi Mamardashvili bëri paraqitjen e tij të parë me klubin.

Para ndeshjes, trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, deklaroi se ishte e vështirë për skuadrën të rikthehej në punë pas humbjes së Jotës, ndaj i kishte sugjeruar lojtarëve të ndjekin shembullin e tij si person dhe si profesionist.

“Para së gjithash, ndikimi ishte i madh për ne, por nuk krahasohet me dhimbjen që ndjejnë prindërit e tij, bashkëshortja Rute, fëmijët dhe familjarët e tjerë”, tha Slot.

Të fundit