Flash News

E-TJERA

Lufta me Hamasin, ambasadori i Izraelit: Shumica e shqiptarëve na mbështet, vrasja e fëmijëve gjëra që ndodhin

Lufta me Hamasin, ambasadori i Izraelit: Shumica e shqiptarëve na

Prej më shumë se 10 ditësh, Izraeli ndodhet në një konflikt të dhunshëm në rripin e Gazës me organizatën terroriste të Palestinës, Hamas, luftë e cila deri tani ka shkaktuar mbi 230 viktima. 

Ambasadori i Izraelit në Shqipëri, Noah Gal Gendler është shprehur se me palestinezët konflikti ekziston prej vitesh dhe e mira do të ishte të zgjidhej, por sipas tij, me grupe terroriste nuk mund të negociohet.

“Hamasi Rripin e Gazës e mori në një revolucion të dhunshëm. Aty ka autoritet terrori, s’ka të bëjë gjë me autoritetet palestineze. Palestinezët në Gaza janë duke u mbajtur peng nga Hamasi. Nuk ka liri atje. Njerëzit janë të kontrolluar në një mënyrë shumë brutale.

Ne kemi konflikt me palestinezët, po negociojmë po përpiqemi ta zgjidhim, por këtë nuk e zgjidhim dot me Hamasin. Jam diplomat, por ndonjëherë diplomacia nuk funksionon. Nuk funksionoi para Luftës së Dytë Botërore me Hitlerin dhe nuk funksionon me njerëz që nuk njohim të drejtën tënde për të ekzistuar. Diplomacia është diçka e mrekullueshme, por i ka limitet e saj.” tha Noah Gal Gendler në ABC.

Në lidhje me protesta në Shqipëri pro Palestën, ai tha se kjo nuk është një luftë fetare, por një kundërpërgjigje ndaj një sulmi. Në lidhje me vrasjen e fëmijëve, ai tha se këto janë gjëra që ndodhin në një luftë.

“Nuk është një luftë fetare. Madje nuk është luftë kundër Palestinezëve se nuk kemi asgjë me ta. Nuk duam ti sulmojmë ata. Sigurisht që nuk jemi në paqe po nuk duam ti sulmojmë. Ne kemi një luftë kundër Hamas dhe jo palestinezëve. Në pjesën tjetër palestinezët vazhdojnë jetën e tyre.

Është e thjeshtë. Ne jemi duke u sulmuar dhe duhet të përgjigjemi. Jemi të kujdesshëm të mos shkaktojmë dëme fëmijëve dhe civilëve. Por ndonjëherë në luftë vriten dhe plagosen. Por nuk është e qëllimshme thjeshtë ndodhin në një luftë. Ne duam ti njoftojmë njerëzit të largohen nga zona. Nuk kemi asgjë kundër civilëve dhe myslimanëve.” tha Noah Gal Gendler.

Krydiplomati i Izraelit në Shqipëri tha se në vendin tonë ndihet i sigurt dhe sheh që shumica e shqiptarëve e mbështesin Izraelin.

“Ndihem që shumica e shqiptarëve na mbështet. I kuptojnë qëllimet tona mjaft mirë. Ndihem shumë i sigurt. Dhe jo vetëm shqiptarët këtu, por edhe ata në Kosovë. Ndihemi shumë të sigurt.” - tha Noah Gal Gendler.

 

Të fundit