Flash News

E-TJERA

Mafia shqiptare dhe ‘Ndrangheta’, aleatë të drogës: Kush është ‘njeriu i nderit’ për kalabrezët?

Mafia shqiptare dhe ‘Ndrangheta’, aleatë të drogës:

Autoritetet italiane kanë zbuluar në hetimin “Arangea bis” një rrjet të strukturuar kriminal që bashkëpunon ngushtë mes mafias kalabreze ‘Ndrangheta’ dhe grupeve kriminale shqiptare, me trafikun e drogës si aktivitetin kryesor, shkruan Corriere della Calabria.

Sipas urdhrit të hetimit të Prokurorisë së Reggio Calabriës, këto organizata përdorin kanale transnacionale për importin e sasisë së madhe të narkotikëve, përfshirë kokainën, hashashin dhe marihuanën, nga Amerika e Jugut (Ekuador) dhe vende të ndryshme evropiane (Spanjë, Gjermani, Holandë, Belgjikë dhe Shqipëri).

Në bisedat e përgjuara, të dyshuarit flasin shpesh për Shqipërinë si një prej burimeve kryesore të drogës, ku trafikanët shqiptarë disponojnë sasi të mëdha, deri në 3 ton marihuanë. "Nëse doni, në Shqipëri kanë 3 mijë kg", thuhet në përgjime.

Në fokus të hetimeve qëndron shqiptari Saimir Bilaçaj, i lindur në 1985, i cilësuar si “promovuesi, menaxheri, organizatori dhe financuesi” i trafikut të kokainës që hyn në portin e Gioia Tauro-s në Kalabri. Ai ka menaxhuar dhe koordinuar importin nga Amerika e Jugut dhe shpërndarjen në tregjet evropiane, duke bashkëpunuar ngushtë me anëtarë të ‘Ndranghetës’, përfshirë Antonio Gullin.

Sipas hetuesve, Bilaçaj krenohet me lidhjen me Davide Flachi , shefin e Comasina-s, i cili thuhet se i ka dhënë atij titullin "njeriu i nderit".

Hetimet italiane zbulojnë gjithashtu lidhjet mes grupit shqiptar “Kompania bello” dhe organizatave kalabreze mafioze, të cilat veprojnë në mënyrë konfederate për kontrollin e trafikut global të drogës. Nga baza e tyre në Valencia, menaxherët shqiptarë monitorojnë dërgesat e kokainës dhe bashkëpunojnë me grupe të tjera mafioze, përfshirë edhe sektorin e pastrimit të parave që lidhet me komunitetin kinez.

Një tjetër fakt i rëndësishëm i nxjerrë nga bisedat e përgjimit është prania e fuqishme e shqiptarëve në zonat kyçe të Amerikës Latine ku prodhohet kokaina (Kolumbi, Bolivi, Peru) dhe në portet ndërkontinentale që përdoren për transportin e drogës drejt Evropës.

Hetimet e Prokurorisë së Milanos dhe Reggio Calabrias tregojnë se këto organizata kriminale po konsolidojnë ndikimin e tyre duke krijuar një rrjet shumëplanësh, ndërkombëtar dhe tepër të strukturuar në trafikun e drogës dhe pastrimin e parave.

Përmbajtja e një bisede tregon lidhjen e shqiptarëve me mafien kalabreze: "Pastaj janë këta shqiptarë... Ata kanë vënë dorë në gjithçka tani... Kushërinjtë janë kudo... Ata janë të aftë... Ata janë në Amerikën e Jugut tani."

Të fundit