Flash News

E-TJERA

Makina e vrasësve të çiftit Mujeci u gjend në garazhin e tij, reagon Besnik Kolndreu: Nuk jam kriminel, do paraqitem vetë

Makina e vrasësve të çiftit Mujeci u gjend në garazhin e

Vrasja e çiftit Kreshnik dhe Gentiana Mujeci në Lezhë vijon të shoqërohet me zhvillime të reja, ndërsa një nga personat e shpallur në kërkim, Besnik Kolndreu, ka reaguar publikisht duke mohuar çdo përfshirje në ngjarje.

Në një deklaratë për News24, 40-vjeçari pranon se një nga automjetet e përdorura nga autorët është gjetur në garazhin e tij, por thekson se gjithçka ka ndodhur pa dijeninë e familjes.

Sipas tij, ai jeton dhe punon në Mal të Zi së bashku me bashkëshorten dhe fëmijët, ndërsa në banesë ndodheshin vetëm prindërit.

Kolndreu shpjegon se autorët dyshohet të kenë hyrë vetë në pronë, duke hapur portat dhe duke shfrytëzuar faktin që oborri është i rrethuar me ligustra të larta, çka e bën të pamundur shikueshmërinë nga jashtë.

Ai shton se në momentin e ngjarjes, prindërit e tij nuk kanë vënë re asgjë, pasi ndodheshin brenda në banesë.

40-vjeçari shpreh shqetësimin se po tentohet të implikohet padrejtësisht në një ngjarje të rëndë, duke theksuar se nuk ka pasur kurrë konflikte me familjen Mujeci dhe nuk dëshiron të përfshihet në gjakmarrje.

“Duan te me futin ne gjak me një familje me te cilët kurrë nuk kemi patur problemin me te vogël. Prandaj i lutem shtetit qe çështjen tonë ta shikojnë me imtësi dhe profesionalitet sepse këtu nuk është vetëm shteti dhe burgu ku duan te me futin pa patur asnjë faj por dhe gjaku dhe ne nuk duam te biem ne gjak me askënd pa na pasur borxh dhe pa ju pasur borxh”, shprehet ai.

Ai i bën thirrje institucioneve që çështja të hetohet me profesionalizëm dhe në mënyrë të detajuar, duke theksuar se nuk bëhet fjalë vetëm për drejtësinë, por edhe për pasoja të rënda sociale.

Në përfundim, Kolndreu deklaron se është i gatshëm të bashkëpunojë me autoritetet dhe paralajmëron se do të paraqitet vetë për të dhënë sqarime.

“Do të vij vetë dhe gjithçka do të sqarohet. Nuk jam kriminel”, përfundon ai.

Të fundit