Flash News


E-TJERA

"Malet" pa miratim, projektligji ngec në Komisionin e Ligjeve

"Malet" pa miratim, projektligji ngec në Komisionin e Ligjeve

Komisioni i Ligjeve vendosi sot të pezullojë shqyrtimin e projektligjit të njohur si “Paketa e Maleve”, pas kundërshtimeve nga opozita, e cila argumentoi se drafti mund të ndikojë në zgjedhjet e 11 majit dhe bie në kundërshtim me Kodin Zgjedhor.

Projektligji ka si qëllim kryesor nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe përmirësimin e kushteve të jetesës në 100 fshatrat malore të Shqipërisë, duke krijuar mundësi për investime dhe punësim. Një ndër pikat kryesore të tij është përjashtimi i 500 investitorëve të parë nga katër taksa të rëndësishme—tatimi mbi fitimin, taksa për infrastrukturën, taksa mbi pasuritë e paluajtshme dhe TVSH-ja—për një periudhë 10-vjeçare, me synimin për të nxitur investimet në këto zona.

Deputetët e opozitës kërkuan shtyrjen e shqyrtimit, duke iu referuar edhe një kërkese nga 35 organizata të shoqërisë civile për më shumë transparencë. “Ky është një ligj me ndikim të drejtpërdrejtë në zgjedhjet e 11 majit,” deklaroi deputetja e PD-së, Dhurata Çupi.

Në debat u përfshinë edhe deputetët e PS-së, me Pandeli Majkon që u shpreh dakord për shtyrjen, ndërsa Damian Gjiknuri propozoi që projektligji të dëgjohet dhe të kërkohet një opinion nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Në një deklaratë të bërë më herët, në tetor 2024, Kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë paketë si një mundësi për të mbështetur investimet turistike, duke u ofruar mundësi pronarëve të pasurive të braktisura në zonat malore për t’i shndërruar ato në atraksione turistike.

Në përfundim, kryetarja e Komisionit, Klotilda Bushka, propozoi pezullimin e shqyrtimit, me argumentin se nevojitet më shumë kohë për diskutim./ Monitor

Të fundit